Drejtuesit kryesorë të kompanive Twitter dhe Facebook pritet të dalin përpara ligjvënësve të mërkurën për t'iu përgjigjur pyetjeve që lidhen me sigurinë kibernetike përpara zgjedhjeve për Kongresin që mbahen në muajin nëntor.
Të paktën një anëtar i komisionit për Zbulimin në Senat, përfaqësuesi më i lartë i demokratëve, senatori Mark Warner, tha për gazetën The Washington Post se seanca ka për qëllim "të japë alarmin se ajo që ndodhi në vitin 2016, sikurse e kemi parë, nuk ishte një rast i izoluar".
Në javët e fundit, Microsoft-i njoftoi se kishte çaktivizuar gjashtë faqe interneti ruse, të maskuara si grupe ekspertësh nga Uashingtoni dhe si faqe që i përkisnin Senatit amerikan.
Facebook-u dhe kompania e sigurisë në internet FireEye zbuluan faqe me origjinë nga Irani dhe Rusia, që çuan në heqjen e më shumë se 600 llogarive të rreme, disa që synonin të ndikonin publikun amerikan.
Përpjekjet e reja të raportuara për depërtim dhe manipulim të medias sociale, të cilat Moska i mohon zyrtarisht, tregojnë interesin e vazhdueshëm të Rusisë për të ndërhyrë në politikën amerikane.