Gjigandi suedez i mobiljeve IKEA po konsideron të futet në industrinë e automjeteve tërësisht autonome, e cila ka një potencial triliona-dollarësh. Ideja e fundit e think tank-ut të saj i imagjinon këto mjete si dhoma shumëngjyrëshe me shumë funksione, se sa thjesht makina për pasagjerë.
“Ne nuk kemi ambicien të prodhojmë makina. Por në të ardhmen kur njerëzve mos t’u duhet më të drejtojnë makinën, pjesët e brendshme të saj do të zgjerohen në një pikë kur nuk do të dizajnojmë më makina, por hapësira të vogla. Kjo është një fushë ku ne kemi tashmë shumë eksperiencë”, deklaroi Goran Nilsson i IKEA-s.
Space 10, think-tanku i IKEA me bazë në Kopenhagen ka realizuar shtatë prototipe njësish shërbimi publike, të cilat mund të vijnë në çdo destinacion përmes një aplikacioni. Ato përfshijnë një klinikë mjekësore, një dyqan fruta-perimesh, një kafene, një kënd lojërash virtuale, një hotel, si dhe një zyrë të lëvizshme të pajisur plotësisht. Gjithashtu ka një prototip për një dyqan IKEA, ku klientët mund të blejnë produkte nga kompania.
Ideja sugjeron se mjetet autonome mund të sjellin një varietet shërbimesh në zona apo lagje ku ato mungojnë. Kështu, “Shëndetësia mbi rrota” do të mund të lejonte doktorët të arrijnë tek pacientë që s’mund të udhëtojnë drejt klinikave, ndërsa “Ferma mbi rrota” mund të shpërndajë ushqim të freskët në zona ku mungojnë dyqanet e lira dhe cilësore.
Megjithatë, kjo utopi nordike has edhe disa kundërshtime, pasi ekspertët mendojnë se këto lloj automjetesh do të pengonin zgjerimin e hapësirave për këmbësorët, një nga qëllimet kryesore të autonomisë.
Gjithashtu, shërbimet e ofruara nga automjetet autonome mund të na bëjnë më të izoluar, pasi nuk do të kishte më nevojë të dilje nga shtëpia nëse ushqimet, librat, orenditë, mund të vijnë të gjitha tek tij.