Bruksel, 27 shtator– Gjigantët e medias socaile përfshirë “Facebook” dhe “Google” nënshkruan një kod sjelljeje vullnetar për të bllokuar “fake news” në internet, njoftoi sot Komisioni Europian.
Ekzekutivi i Bashkimit Europian po përpiqet të godasë fushatat në internet të dezinformimit dhe përpjekjeve nga palët e treta, si Rusia, që të influencojnë votuesit në kuadër të zgjedhjeve europiane që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, transmeton ATSH raportimin e DPA-së.
“Kjo është hera e parë që kjo industri ka rënë dakord për një grup standardesh të vetë vendosura për të luftuar dezinformimin kudo në botë, në formë vullnetare”, deklaroi komisionerja e BE-së për Ekonominë Dixhitale, Mariya Gabriel.
Ky kod i sjelljes është nënshkruar gjithashtu nga “Mozilla” dhe shoqata e tregtisë në internet “EDiMA”, ku “Twitter” është anëtar.