Gjetja e një hoteli të pastër dhe me çmim të përballueshëm është një nga makthet e udhëtarëve në Indi. Shumë shpesh, ajo çfarë duket mirë në një portal rezulton të jetë një dhomë e mbushur me buburreca në një ndërtesë që rrezikon të shembet dhe ku ujin në banjo duhet ta hedhësh me kovë.
Për të evituar surprizat e pakëndshme, Ritesh Agarwal krijoi një aplikacion rezervimesh, i cili premton të ketë reklamim real. Në vitin 2013 ai nisi një zinxhir hotelesh të quajtur Oyo Hotels, i cili është shndërruar tashmë në më të madhin në Indi, ku ky treg kap vlerën e 4.5 miliardë dollarëve.
Tani Agarwal po e zgjeron modelin e tij të franchising jashtë shtetit dhe në të kombinohet një portal rezervimi dhe një tufë me shërbime për hotelet e vogla që duan të rrisin cilësinë. Kompania njoftoi se po mbledh 1 miliardë dollarë nga disa investitorë për të financuar ekspansionin në vende si Kina, ku Oyo nisi punën Nëntorin e kaluar. Në Shtator, kompania nisi shërbimet e saj edhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke e sjellë biznesin për herë të parë në një treg të zhvilluar.
“Deri në vitin 2023 ne do të jemi zinxhiri i hoteleve më i madh në botë. Ne duam të shndërrojmë asete të thyera dhe të pa-branduara përreth botës në hapësira jetese me cilësi të lartë”, u shpreh themeluesi 24-vjeçar.
Oyo punëson qindra vetë për të vlerësuar pronat mbi bazën e 200 faktorëve, që variojnë nga cilësia e dysheqeve dhe çarçafëve, e deri tek temperatura e ujit. Për të marrë logon e kuqe të Oyo, hotelierët duhet të pranojnë të bëjnë një ndryshim arredimit të hotelit, transformim i cili zgjat rreth një muaj. Më pas Oyo merr 25% të çdo prenotimi.
Themeluesi shprehet se i erdhi ideja për Oyo pas disa udhëtimeve me buxhet të vogël në Indi dhe pasi kishte qëndruar në disa hotele të tmerrshme. Për të mësuar biznesin e hoteleve, ai qëndroi edhe një vit duke pastruar dhoma në një hotel.
Më pas në vitin 2013, ai fitoi një bursë prej 100 mijë dollarësh nga Peter Thiel, një bashkëthemelues i Paypal, i cili subvencionon studentët që lënë universitetin për të ngritur kompanitë e tyre. Megjithatë, suksesi i vërtetë erdhi në vitin 2015, kur ai mblodhi rreth 100 milionë dollarë fonde nga investitorë si Sequoia Capital dhe SoftBank e Japonisë.
Me financimin e ri, Oyo vlerësohet në 5 miliardë dollarë. Megjithëse me zgjerimin, kompania do të përballet me vështirësi në mbajtjen e standardeve nga ana e hoteleve.