BMW ka vendosur që në panairin e veturave në Los Anxhelos të prezantojë Serinë e 8-të në version kabrio.
Pas versionit Coupe, i prezantuar në fillim të vitit, tani prodhuesi i njohur gjerman vjen me një model me çati të hapur.
BMW do të prezantojë versionin kabrio të serisë së re 8 në fund të nëntorit. Pritet që ky model të vijë me të njëjtat karakteristikat sikurse të BMW 8 Series Coupe, transmeton ksp. Kjo do të thotë se për konsumatorët do të jetë në dispozicion versioni M850i xDrive me motor benzinë 4.4-litër Bi-Turbo V8 me kapacitet prej 530 kuajfuqi, i kombinuar me marshin automatik me tetë shpejtësi.
Përveç motorit benzinë, versioni me naftë 840d xDrive do të ketë motor të rregullt Bi-Turbo me gjashtë cilindra e kapacitet prej 320 kuajfuqi, në kombinim me marshin automatik prej 8 shpejtësive.
Gjithashtu, BMW ka njoftuar se përveç versioneve Coupe dhe kabrio, do të lansojë edhe versionin Gran Coupe me 4 dyer, e cila do të debutojë pas versionit kabrio.