Prokuroria ka vendosur nën sekuestro preventive resortin “Golden” në Shijak, që është në pronësi të familjes Hajri, dhe ku dyshohet se u vra Jak Prenga, pas pengmarrjes së tij pak ditë më parë në zonën e Kamzës në kryeqytet.
Resorti “Golden” do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë në lidhje me të gjithë aktivitetin e zhvilluar ndër vite, duke filluar që nga të ardhurat për ndërtimin, pagesat e taksave dhe deklarimet.
Nga ana tjetër prokuroria ka lëshuar 11 urdhër-arreste për pengmarrjen dhe vrasjen e Prengës, nga të cilat 5 kanë arritur të ekzekutohen, dhe 6 të tjerë jo.
Në prangat e policisë kanë rënë derimë tani Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë) babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç, Festim Bexhdili që u arrestua gjatë ditës së djeshme dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak.
Lidhur me ngjarjen dyshohen si porositës për pengmarrjen katër persona:
M. B., personazh me dritë-hije të forta në botën e krimit, nga Shkodra, i akuzuar për trafik droge nga Ekuadori në vendet e BE.
G. D., është i skeduar nga autoritetet e vendeve të BE dhe konsiderohet si njeriu kyç që urdhëroi rrëmbimi i Jan Prengës, përderisa vëllai i këtij të fundit arriti të nxirret nga porti britanik një sasi të madhe kokaine, por nuk e dorëzoi në destinacion.
K. G., nga Shkodra, i përfshirë më herët në aktivitet kriminal në vendet e BE, por edhe në Shqipëri i skeduar. Ky mendohet të jetë personi që ka bërë rolin e ndërmjetësit, duke çuar mesazhin për marrjen peng të Prengës.
D.R., nga Vlora, personazhi më i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë. Më 2014, është arrestuar me 240 kg kokainë në Ekuador, më herët ishte akuzuar për përfshirje në vepra kriminale në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se policia po kryen kërkime për gjetjen e trupit të Prengës në zonën e lumit Erzen, por nuk përjashtohet as mundësia që ai të jetë hedhur në det, në vijën bregdetare të Kavajës.
E vetmja provë që ka fundosur grupin është një kamer në garazh të resortit, ndërsa të tjerat i kanë shkatërruar. Pikërisht nga këto pamje, policia ka mundur të bëjë identifikuar 11 autorët e dyshuar të këtij krimi vërtet mafioz nga mënyra e ekzekutimit.
Ka mundësi që Prokuroria e Tiranës të shpall moskompetencë për çështjen nëse ngrihet akuza për grup të strukturuar kriminal.
Në këtë rast çështja do i kalohej SPAK-ut.
Astri Prenga, vëllai i Jak Prengës, ndodhet në Britani të Madhe, dhe dyshohet se është pjesë e kartelave të drogës, i cili mund të ndihmoj për të zbërthyer grupin kriminal. Për këtë arsye, akuza e Tiranës ka nisur një letërporosi në drejtim të autoriteteve britanike për ndalimin e tij dhe marrjen në pyetje.
Në këtë mënyrë pretendohet të zbërthehet dinamika e fillimit të konfliktit, mes grupeve kriminale që kanë lidhje me trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Autoritet britanike akoma nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me letërporosinë e Prokurorisë së Tiranës.
Burime nga akuza konfirmojnë se kjo është çështje orësh, ndërsa lokalizimi i tij në Britani pritet të bëhet shpejt.
E gjithë pista e hetimeve të organit të akuzës është prishja e pazareve të drogës. Prokurori i çështjes, Leonard Filopati, që të mërkurën pasdite ka dërguar në Penalen e Tiranës kërkesën për masën “arrest me burg” për 5 të arrestuarit dhe po ashtu në mungesë edhe për 6 të tjerët që janë në kërkim.