Një person ka humbur jetën nga koronavirusi në Filipine duke shënuar kështu vdekjen e parë të konfirmuar nga virusi jashtë Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetit njoftoi se pacienti ishte një 44-vjeçar kinez nga Wuhan, ndërsa theksoi se ai ishte infektuar para mbërritjes në Filipine.
44-vjeçari udhëtoi në Filipine nga Wuhan, përmes Hong Kong, me një grua 38-vjeçare kineze, e cila gjithashtu rezultoi pozitive për virusin, tha Departamenti i Shëndetit në Filipine.
Zyrtarët sqaruan se ai ishte pranuar në një spital në kryeqytet, Manila, dhe më pas kaloi një pneumoni të rëndë.
Rabindra Abeyasinghe, përfaqësuesi i OBSH-së në Filipine, i bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë: “Kjo është vdekja e parë e raportuar jashtë Kinës. Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh që ky nuk është një rast i fituar në vend”, u shpreh Abeyasinghe, shkruan, abcnews.al
Sipas gazetës lokale “Rappler”, Sekretari i Shëndetësisë Francisco Duque III tha që pacienti ishte “i qëndrueshëm dhe tregoi shenja përmirësimi”, por gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi gjatë 24 orëve.
Kujtojmë që më shumë se 300 njerëz kanë vdekur deri tani nga shpërthimi i koronavirusit ku shumica e personave janë nga Hubei. Ndërkohë SHBA dhe Australia kanë ndaluar ardhjen e të huajve nga Kina dhe po kërkojnë që shtetasit e tyre të kalojnë në karantinë.