Numri i viktimave nga koronavirusi në Itali vazhdon të rritet, duke bërë që zona të prekura të vendit si Bergamo të përballen dhe me një problem tjetër: mungesën e hapësirës së mjaftueshme për të varrosur trupat.
Për këtë qëllim, është angazhuar edhe ushtria, sic tregojnë pamjet filmike të shpërndara në rrjetet sociale. Makinat e ushtrisë transportojnë kufomat në vendet ku ato mund të digjen; 31 do të dërgohen në Modena e mbi 60, në qytet të tjera që janë më pak të prekura.
Por ndërkohë, nga Italia nuk mbërrijnë vetëm lajme të këqija. Në vendin fqinj, është shëruar pacienti i parë që u trajtua me ilaçin eksperimental kundër koronavirusit, “Remdesivir”. Lajmin e përcolli Matteo Basetti, zëdhënës i klinikës infektive në spitalin San Martino në Gjenovë. Kurimi i 79-vjeçarit kishte filluar në 7 mars, e gjatë dy testeve të bëra së fundmi për koronavirus ai ka rezultuar negativ. Pacienti së shpejti do të rikthehet në Lombardi ka njoftuar Basetti, duke shtuar se të gjithë mjekët janë të kënaqur nga fakti që ky ilaç ka rezultuar të jetë efektiv. Ai gjithashtu pranoi se ka pacientë tjerë që janë duke u trajtuar me këtë lloj ilaçi.
Ndërkohë, ministria italiane e Shëndetësisë ka aprovuar testimin në kafshë me vaksinën e parë kundër coronavirusit. Në SHBA është bërë testi I pari tek njerëzit I një vaksine, në Rusi është dhënë drita jeshile për ta provuar tek kafshet, ndërsa Italia u bë e para në Europë që është gati për testet klinike të vaksinës së prodhuar në laboratoret e kompanisë “Takis”.