INTERVISTA/ Selami Xhepa: Arka e Noes në ekonomi, 500 mln euro për t’ia nisur

Premte, 20 Mars 2020 16:25

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranë, pedagogu i ekonomisë Selami Xhepa argumenton pse ekonomisë shqiptare i duhet një paketë që shkon në 4-5% të prodhimit të brendshëm (700-800 miliardë euro) po vihen menjëherë në veprim për të shpëtuar ekonominë. Ai mendon se një paketë 500 milionë euro do ishte një masë shpëtimtare, “Arka e Noes” për shpëtimin e ekonomisë sonë kombëtare. Në rast të kundërt, pasojat do të jenë shumë të thella dhe afatgjata.

Pandemia e shkaktuar nga Covid-19, duket se veç njerëzve ka izoluar edhe ekonominë. Duket se përveçse shitjeve me pakicë të artikujve ushqimorë dhe farmacive, ekonomia ka ndalur vrapin.  Sa përllogariten deri më tani humbjet në industrinë e udhëtimeve, të turizmit dhe të shërbimeve? Cilat do të jenë pasojat reale të kësaj  emergjence shëndetësore në ekonominë shqiptare?

Së pari duhet theksuar se kjo është një ngjarje me precedentë të paktë (ose aspak) në historinë e shoqërisë moderne. Bota ka njohur kriza të natyrave të ndryshme me burime nga ato të tregjeve financiare, të borxheve publike dhe private, të monedhave dhe inflacionit dhe kriza të superprodhimit. Por, një ndalim i tillë, thuajse i plotë i të gjithë tregjeve, në dijen time nuk e ndeshim në epokën moderne të shoqërisë industriale, që prej shekullit të nëntëmbëdhjetë. Edhe viruset që janë shfaqur gjatë këtyre viteve të fundit (Sars, Ebola), kanë pasur  efekt shumë të kufizuar në kohë dhe në hapësirë. Por, një paralizim i kësaj natyre, ku e gjithë jeta ekonomike dhe sociale është stopuar në pothuajse pjesën më të madhe të botës, është i paprecedentë. Edhe në kohë lufte,  industritë funksiononin në kapacitete të plota (madje në shfrytëzim të tepruar të krahut të punës dhe teknologjisë) për të plotësuar nevojat e shoqërisë (dhe luftës). Në epokën post-industriale, ku manifaktura zë vetëm një të katërtën e prodhimit botëror dhe punësimit, shërbimet janë motori që vë në lëvizje ekonominë globale dhe gjithë shoqërinë njerëzore. Por, sot këto industri, industritë e udhëtimit (transport, turizëm dhe shërbimet e lidhura me to), janë tërësisht të paralizuara.  Falë përdorimit në shkallë të gjerë të teknologjive të inteligjencës artificiale dhe sistemeve të prodhimit pa ndihmën e njeriut, është e mundur që sektor të rëndësishëm të prodhimit të vazhdojnë të funksionojnë dhe na mundësojnë plotësimin e nevojave të përditshme, edhe në kushtet e ndalimit të jetës normale.

Shqipëria, për fat të keq, mori një goditje tjetër pas tërmetit me pasoja rrënimtare të 26 nëntorit të kaluar. E gjithë jeta ekonomike e vendit po vazhdon të përjetojë një nga periudhat më të vështira të saj. Edhe në Shqipëri, shërbimet përbëjnë gati 60% të prodhimit kombëtar dhe ky sektor vazhdon të jetë në një gjendje të rënduar që prej nëntorit të kaluar. Edhe industria e manifakturës (fasonet, industria ekstraktuese) po përjeton të njëjtat situata të rënduara.

Shkurt, në planin ekonomik, kjo është një nga ngjarjet më të vështira dhe nëse efektet e saj do të vazhdojnë deri në mesin e këtij viti, gjasat janë që ekonomia e vendit do të futet në një recesion, me një rritje ekonomike negative dhe përkeqësim të të gjithë parametrave dhe ekuilibrave makroekonomik. Në rastin më të mirë mund të flasim për një rritje ekonomike rreth 1-1.5% për vitin aktual.

Kostot akoma nuk mund të thuhen pasi kjo është një ngjarje akoma në zhvillim e sipër dhe për fatin tonë jo të mirë akoma nuk kemi një sistem të tillë informacioni që të na lejojë vlerësime në një kohë të shkurtër për ndikimet specifike në sektor apo grupe shoqërore. Por, vlerësimet makro na lejojnë të nxjerrim përfundimin që theksova më sipër.

Edhe në kohë lufte,  industritë funksiononin në kapacitete të plota (madje në shfrytëzim të tepruar të krahut të punës dhe teknologjisë) për të plotësuar nevojat e shoqërisë (dhe luftës)

Por tabloja nuk është thjesht lokale. Ekonomia e botës së zhvilluar është ndalur gjithashtu, të paktën në disa sektorë. A pritet që kjo pandemi të ridimensionojë tregjet globale apo t’u japë hov sektorëve të rinj, duke shënuar fundin për të tjerë?  Sa përllogaritet të jenë humbjet nga kjo krizë? A janë të përgatitura edhe ekonomitë më të fuqishme –ndërsa pandemia ka prekur të gjithë vendet e G7 – për humbje të tilla? A jemi në prag të një recensioni botëror?

Së pari, efektet e krizës në nivel global janë më të dukshme: tregjet financiare kanë humbur ndjeshëm vlerën e aseteve që tregtojnë (të paktën me 7 trilion dollarë – një shifër që vazhdon të thellohet), industria e turizmit raporton gati 1 trilion – gjithashtu një shifër që do të thellohet shumë më tepër në muajt në vazhdim). Bazuar në këto zhvillime, FMN uli ndjeshëm projeksionet e saj për rritjen ekonomike botërore në nën 2%. Por me gjasa, siç edhe vetë raporti nënvizon, nëse gjërat do mbeten kështu edhe për dy-tre muaj, gjasat janë për një recesion global që mund të ngërthejë ekonomitë e vendeve të zhvilluara, veçanërisht ato të BE-së. Aktualisht Italia, Gjermania dhe Franca janë në një gjendje të rrezikshme për të shkuar drejt një recesioni të ngjashëm me atë të krizës së vitit 2008.

Pikërisht për të shmangur rreziqe të tilla, sot qeveritë europiane dhe vendeve të ndryshme të botës po marrin masa për të stimuluar kërkesën konsumatore dhe mbështetur industritë që mund të rrezikojnë falimentim. Edhe pse sot bota ndodhet në nivele të borxheve publike ndër më të lartat që ndeshim në histori (gati 300% e PPB-së botërore) dhe bankat qendrore kanë ezauruar pothuaj gjithçka nga instrumentet tradicionale (me normat e interesit tashmë prej vitesh negative në termat reale), ato i janë rikthyer instrumenteve që zbatuan gjatë krizës së vitit  2008, lehtësimit sasior, blerjes së borxhit të qeverive dhe korporatave të sektorit privat, në mënyrë që të parandalohet mundësia e një tjetër recesioni si ai që sapo kaluam. Edhe vendi më i dobët i eurozonës, Greqia, adoptoi një paketë prej 2 miliardë euro për shpëtimin e ekonomisë. Italia, vendi me borxhin më të lartë në vendet e eurozonës, do të vazhdojë rritjen e huamarrjes për daljen nga gjendja e sotme katastrofike ku ndodhet. Për të shmangur respektimin e rregullave të Kompaktit Fiskal, vendet e eurozonës kanë vendosur të mos i përfshijnë masat aktuale mbështetese në luftën ndaj Coronavirusit në tavanet e lejueshme buxhetore, çka i jep dorë të lirë qeverive respektive të adoptojnë masa edhe më agresive në mbështetjen e ekonomisë.

Një paketë që shkon në 4-5% të prodhimit të brendshëm (700-800 miliardë euro) po vihen në veprim menjëherë në veprim për të shpëtuar ekonominë. Mendoj se një paketë 500 milionë euro do ishte një masë shpëtimtare, “Arka e Noes” për shpëtimin e ekonomisë sonë kombëtare. Në rast të kundërt, pasojat do të jenë shumë të thella dhe afatgjata. Plani i shpalosur nga kryeministri mbrëmë është një hap shumë i mirë dhe që jep shpresë për një ndikim shumë pozitiv.

Megjithëse industria e prodhimit duket se vijon të funksionojë, por sa fitimprurëse mund të rezultojë ajo kur edhe fuqia blerëse ka ngrirë, e izoluar brenda shtëpive?

Në fakt me përjashtim të bujqësisë dhe industrisë ushqimore dhe farmaceutike, sektorët e tjerë janë pothuaj të mbyllur dhe shitjet janë në minimumet e veta. Kjo është arsyeja se ndikimi i kësaj situate mund të jetë shumë më i thellë edhe se kriza financiare e vitit 2008, nëse gjendja do të vazhdojë për një periudhë që të përfshijë gjysmën e vitit. Lajmi i mirë është se ekonomia kineze, që llogaritet të ndikojë me 30% në rritjen e ekonomisë globale, duket se po e rimerr veten. Vendi që u godit më fort nga virusi, po fillon të marrë veten shumë fort dhe ndoshta mund të shërbejë si motori për të mbështetur rritjen e ekonomisë botërore.

Por, përtej ekonomisë globale, vendi ynë është në një tjetër trajektore. Tashmë pothuajse prej gjysmë viti, të gjithë sektorët, përfshirë manifakturën, janë në gjendje stresi dhe funksionojnë në kapacitetet e veta minimale. Por, kërkesa konsumatore mbetet faktori kyç në rritje ekonomie me më shumë se 70% të sjelljes së saj. Reduktimi blerjeve në minimum, në produktet e ushqimit dhe higjienës dhe farmaceutike, rrezikon të mbajë ekonominë në gjendje anemie.

Sa mund të përballohet kjo krizë nga rezervat e shtetit?

Rezervat shtetërore ndërtohen për të përballuar situata të kufizuara në kohë dhe në shtrirje gjeografike dhe si të tilla ato nuk janë një mjet me rëndësi ekonomike. Sigurisht që ato zbusin problemet sociale të grupeve më të kërcënuara dhe vulnerabël të shoqërisë në furnizimin me produktet kritike, por nuk janë një instrument i politikave ekonomike.

Ndërsa çmimi i naftës ka rënë, po investohet në ar. Çfarë impakti ka  koronavirusi në tregjet e  bursave?

Rënia e çmimit ta naftës është diktuar sa nga zhvillimet gjeopolitike, aq dhe nga rënia e kërkesës. Industritë dhe transporti janë paralizuar – dy sektorë që zënë një peshë të madhe në konsumin e produkteve të naftës. Nga ana tjetër, në situata të krizave dhe pasigurive serioze afatgjata në ekonomi, investitorët i drejtohen gjithnjë një monedhe sigurie (safe heaven) që gjithnjë ka shërbyer ari. Kjo ngjarje vërehet si në krizën financiare 2007/2008 dhe më parë në histori. Çmimi i arit ka ardhur gjithnjë në rritje; edhe bankat qendrore botërore kanë rritur në vijimësi stokun e rezervave valutore në ar. Nervozizmi i tregjeve është përcjellë nga rënia sistematike e indekseve të bursave dhe, siç e theksova, nga rënia e fortë  e vlerës së aseteve të tregtuara përmes tyre.

 A po shkojmë nga një ekonomi globale, edhe njëherë drejt ekonomive lokale? Po tregu i përbashkët europian  a do të dëmtohet apo mund edhe të shkojë drejt shkrirjes? Sa janë gjasat për këtë? Që tani ka zëra kritikë në Itali që shprehen se BE e la vetëm Italinë më këtë krizë, tashmë jo vetëm shëndetësore.

Nuk ka dyshim se globalizmi është cenuar nga kjo situatë. Ngjarjet si terrorzimi global, përhapja e shpejtë e sëmundjeve infektive njësoj si edhe e krizave financiare, janë ngjarje që i frenojnë proceset globalizuese, por forcat bashkuese të tregjeve globale janë shumë më të forta. Sigurisht që modelet e biznesit ka nevojë të rishikohen. Për shembull, sistemet prodhuese lean manifacturing apo sistemet e furnizimit just in time që lindën që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, duke shkuar drejt inventarëve zero me qëllim reduktimin e kostove të prodhimit, u provua se janë jo efikase në rrethana si këto të tanishmet. Përpara se sisteme të tilla të hynin në fuqi, mesatarisht kompanitë kishin inventarë për 66 ditë. Ndoshta kjo ngjarje mund të rikthejë një konsiderim të sistemeve më të hershme të inventarëve të sigurisë. Edhe aspekte të tjera të biznesit global mund të rikonsiderohen, veçanërisht në terma të kostove fikse të punës. Prej kohës gjithnjë e më shumë puna po bëhet nga shtëpia dhe kjo krizë vetëm se motivon dhe më shumë që teknologjia të gjejë dhe më shumë zbatim. Për shembull, ne në sistemin arsimor tashmë po përdorim gjerësisht sistemet e teknologjisë së informacionit në mësimdhënien on-line. UET menjëherë e shtriu zbatimin e këtij sistemi (learning management system) në dhënien e leksioneve për studentët në mënyrë që të mos cenohet mësimdhënia. Kjo prirje do të përfshijë sistemin financiar dhe shumë sisteme të tjera ndihmëse të biznesit. Këto zhvillime do e rrisin imunitetin e shoqërisë ndaj krizave të kësaj natyre.

Nga ana tjetër, tregu europian po funksionon si një i tërë. Përveç një reagimi fillestar jo shumë serioz nga Banka Qendrore Europiane, duket se vendimet që po merren janë në frymë komunitare. Italia ka një problem të sajin të brendshëm pasi shifrat e borxhit janë më shumë se dy herë mbi nivelin mesatar të borxhit të eurozonës. Por, duket se Europa po shkon drejt masave më shumë izoluese ndaj pjesës tjetër të botës. Politikat e eksportit të medikamenteve dhe teknologjive mjekësore jashtë vendeve të BE, në kontekstin e  ngjarjeve aktuale,  janë shqetësuese.

Ne,  në sistemin arsimor tashmë po përdorim gjerësisht sistemet e teknologjisë së informacionit në mësimdhënien on-line. UET menjëherë e shtriu zbatimin e këtij sistemi (learning management system) në dhënien e leksioneve për studentët në mënyrë që të mos cenohet mësimdhënia

A i ngjan kjo situatë e shkaktuar nga një emergjencë shëndetësore krizës financiare të 2008-s apo pasojat mund të jenë edhe më të rënda?

 Mendoj se kjo është edhe më e rëndë: në terminologjinë profesionale, kjo është një krizë që nuk kufizohet vetëm në Wall Street, por do të përfshijë dhe M Street, pra nuk kufizohet tek tregjet financiare, të cilat këtë herë nuk janë direkt të përfshira apo shkaku. Ndërprerja e prodhimit është serioze për zinxhirin global të furnizimeve.

A do t’i jepnin pak frymëmarrje bizneseve masa si lehtësira fiskale, shtyrje kredish, etj., apo masa të ngjashme me atë të kryeministrit Conte  të njohura si “Cura  Italia”?

 Vendi ka nevojë për një paketë mbështetëse për jetën ekonomike të vendit. Siç dhe e theksova, një shumë prej 500 milionë euro përtej shifrës së buxhetit vjetor 2020, do të ishte një lehtësim për sipërmarrjen dhe do të inkurajonte rritjen ekonomike. Lehtësitë fiskale dhe kredisë që janë propozuar dhe nga opozita, z. Basha, janë një platformë që duhet konsideruar seriozisht nga autoritetet qeveritare. Plani i masave që parashtroi mbrëmë kryeministri Rama duket se është në këtë linjë dhe besoj se bazuar në zhvillimet e ardhshme, këto masa edhe mund të thellohen.

Kryeministri është shprehur më herët se nuk do t’i shtyjë me një vit pagesat e kësteve të kredive, pasi kjo do të fuste në një situatë të vështirë bankat e nivelit të dytë.  Çfarë tabloje mund të kishim, në një skenar të tillë me shtyrje të kësteve të kredive për 12 muaj? Po shtyrja me 3 muaj a ka një dobi reale?

Mendoj se masat duhet të jenë me paketa tremujore dhe në varësi të zhvillimeve, mund të aktivizohen masa të reja. Sigurisht që nuk mund të ketë masa që të rëndojnë një sektor, siç është sektori bankar , për një periudhë kaq të gjatë. Nëse do të shihet e nevojshme, çdo mbështetje për një sektor të caktuar duhet të përballohet nga taksapaguesit dhe kjo duhet të jetë një çështje e debatit publik. Sidoqoftë, një paketë mbështetje e orientuar në: 1 – masa për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, 2 – mbrojtjen e shtresave vulnerabël dhe në nevojë, dhe 3 – masa që të ruajnë sipërmarrjen e shëndetshme nga falimentimi, është urgjentisht e kërkuar. Uroj që të ketë një grup pune nga Ministria e Financave që të jetë duke punuar dhe të na japë një pamje më të saktë të zhvillimeve që po ndodhin aktualisht në mënyrë që të kemi mundësi të flasim dhe ne në një mënyrë më objektive. Plani që shpalosi Kryeministri është një hap i rëndësishëm dhe që nëse zbatohet në mënyrë efektive, mund të ndihmojë të parandalojë pasojat rrënimtare për ekonominë.

Mendoj se një paketë 500 milionë euro do ishte një masë shpëtimtare, “Arka e Noes” për shpëtimin e ekonomisë sonë kombëtare. Në rast të kundërt, pasojat do të jenë shumë të thella dhe afatgjata”

 Ata, të cilët kanë një kompani dhe s’kanë mundësi të paguajnë pagat, qeveria do t’u japë   garanci financiare, por ashtu edhe sipërmarrjeve të vogla  për të mos humbur pagën e tyre, por Rama ishte i qartë kur tha se nuk do bizneset e mëdha janë të fundit në radhë, duke u sugjeruar të përdorin dividentin e vitit të shkuar në dispozicion të njerëzve. Sa mundësi ka biznesi i madh në  Shqipëri ta amortizojë krizën, i pandihmuar nga shteti? Dhe a do t’i lehtësonte shtyra e pagesave të taksave?  Sa mund të jetë fondi mbështetës i qeverisë shqiptare për bizneset dhe sipërmarrjet e vogla?

Kryeministri nuk mund t’i thotë individit se si të përdorë paratë e tij; nëse ishte e nevojshme le të ruante dividentin në 15% dhe ta përdorte si një fond publik në mbështetje të ekonomisë dhe sipërmarrjes. Përtej kësaj, mendoj se kjo është një kosto shumë e lartë për shoqërinë dhe duhet që grupet sociale ta ndajnë së bashku atë. Sigurisht që bizneset e mëdha kanë më shumë pasuri dhe mundësi financiare për të kapërcyer ngjarje të kësaj natyre dhe do të ishte më se e natyrshme që ata të ishin solidarë në këtë situatë; veçanërisht në plotësimin e kushteve të përshtatshme të punës për bizneset që janë në punë. Neglizhimet e mëdha që janë ndeshur në këto vite duhet të marrin fund. Duhet të gjithë së bashku ta ndajmë këtë kosto; ata që kanë më shumë duhet të përballojnë më shumë në solidaritet me grupet më të pamundura.

*Intervistoi:Suadela Balliu/ Liberale.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...

Dosja ‘5D’/ Zef Preçi: Skemë e ngjashme me inceneratorët, djajtë kanë dalë nga shishja

Politikë

Dosja ‘5D’/ Zef Preçi: Skemë e ngjashme me inceneratorët, djajtë kanë dalë nga shishja

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e konsideroi si një skemë të ngjashme me atë të inceneratorëve, atë të krijuar nga drejtorët e Erion Veliajt me kompaninë ‘5D’. Për emisionin “Task Force”...