Për fat të keq, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, pasi nuk pa asnjëherë gjithë vendin të mbjellë me hashash, u mallëngjye së fundmi nga një vendim pezullimi i qeverisë “Rama”, për çështjet e pronave, pavarësisht se ky vendim nuk gjen asnjë mbështetje në legjislacionin tonë. Vllahutin, ndoshta duhet të shohë Surrelin e Ramës dhe ministrat e kësaj qeverie për të kuptuar më mirë se çfarë janë ata dhe se është kthyer në mbrojtjen e të korruptuarve më shembullorë në Europë
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri zj.Romana Vllahutin ka thyer çdo rekord duke u vënë në shërbim të qeverisë më të korruptuar në Europë. Në gjithë praninë e saj në Shqipëri, ajo nuk pa asnjëherë keqqeverisjen më të keqe që iu bë Shqipërisë, fuqizimin e krimit si kurrë më parë dhe braktisjen e pazakontë të vendit nga rinia. Në rrethana jo fort të qarta, Vllahutin u bë ministre e qeverisë “Rama”, një agjitatore e pazakonte e saj, një zëdhënëse e qeverisë. Tani së fundmi, në Vlorë, në një prej qarqeve ku korrupsioni e trafiqet kanë lulëzuar më shumë, ajo po thotë se reforma më e mirë e kësaj qeveria është ajo e pronësisë së pezulluar. Pra quhet reformë një lloj akti normativ i përkohshëm i cili jo vetëm që nuk ka bazë ligjore, por nuk lidhet fare me ndonjë proces të rëndësishëm me të cilin mund të mburret apo krenohet një qeveri. Teksa emrat e deputetëve socialistë po dalin si abuzues tokash në sajë të pushtetit abuzues të tyre, për Vllahutin kjo nuk do të thotë asgjë. Cili ishte testi matës që Vllahutin vlerësoi një akt mediokër normativ si ky i fundit i qeverisë “Rama”. A thua njësia e inteligjencies së Vllahutinit është kaq e ulët? Nuk e besojmë një fakt të tillë, por mënyra e shërbimit që po i bën qeverisë në fund të mandatit të saj si diplomate, është e atillë që nuk ka se si të mos të vijë keq.