23 protestuesit e arrestuar një ditë më parë pas akteve të dhunës në protestën për taksën e Rrugës së Kombit, do të dalin sot përpara Gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë, raporton "Ora News".
Gjatë ditës së hënë, grupi i hetimit dy prokurore dhe tre oficerë të policisë gjyqësore të Kukësit, që po merren me zbardhjen e ngjarjes, kanë mbërritur në Tiranë, ku kanë marrë në pyetje protestuesit në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe komisariate.
Të arrestuarit akuzohen nga prokuroria për akuzat e shkatërrimit të pronës, shkatërrimit të pronës më zjarr, kundërshtim të punonjësit të rendit publik.
Gjykata do vlerësojë të ligjshëm ose jo urdhërarrestet e prokurorisë për arrestimin e tyre.
Pjesa më e madhe e protestuesve, 13 prej tyre ndodhen në Drejtorinë e Policisë në Tiranë.
Ndërkohë që prej mbrëmjes së djeshme përballe Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit aktivistë të shoqërisë civile kanë tubuar deri në orët e vona të mbremjes.
Për këtë tubim të paligjshëm policia ka nisur procedimin penal për ta.