Nga Kastriot Dervishi
Organet e punëve të brendshme e njoftonin dukurinë e futjes së ambasadat e huaja në mënyrë individuale së paku nga muaji mars 1990. Më pas, janë disa makina që kanë çarë muret e ambasadave gjermane, italiane dhe greke. E marrë në tërësi, dinamika e ngjarjeve të ambasadave nuk është prezantuar tërësisht para publikut. Më shumë njihet në disa pamje filmike e intervista të pjesëmarrësve të kohës.
Deri në këtë kohë, shteti nuk lejonte pajisjen me pasaporta për jashtë vendit shtetasit shqiptarë. Duke mos pasur një pasaportë në dorë, shtetasit shqiptarë nuk mund t’i drejtoheshin ambasadave të huaja për vizë. Një gjë e tillë bëhej nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Nga Shqipëria dilnin fare pak shqiptarë dhe hynin fare pak vizitorë. Në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, prej vitesh ishte një sektor që merrej me vizat, d.m.th. kontrollin biografik të shtetasve që do dilnin jashtë shtetit. Për t’u dukur sikur shteti këtej e tutje do të përmirësonte lëvizjen e njerëzve jashtë vendit, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin nr.7393, datë 12.6.1990 “Për lëshimin e pasaportave për jashtë shtetit dhe sqarimet përkatëse”.
Në Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura 18 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe ekzistonin 5 rezidenca e 4 pallate banimi. Për sigurimin fizik të tyre në varësi të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë vepronte një repart i veçantë i përbërë nga 5 oficerë, 13 nënoficerë dhe 125 policë shërbimi. Këto forca bënin sigurimin fizik të 17 ambasadave, 2 rezidencave (franceze e çeke), 2 përfaqësive tregtare dhe një pallati banimi. Disa ambasada ruheshin me nga tre vendroje për një shërbim 8 orësh e disa të tjera me një vendroje.
Ngjarja e parë serioze e ambasadave është ajo e mbrëmjes së 23 qershorit 1990, kur një makinë tip “Liaz” nga ata me karroceri të hapur, e drejtuar nga shoferi Fatos Kaceli, mori përpara furishëm duke e shkallmuar portën kryesore të ambasadës italiane në Tiranë (sot selia e ambasadës së SHBA-së). Po atë mbrëmje një makinë tjetër tip “Saurel” e parkut të ndërtim minierave në Tiranë, u fërkua mbi murin e ambasadës.
Në komunikatën nr.154, datë 2.7.1990 e MPB-së, ndër të tjera njoftohej: “Më datën 1.7.1990 prapa ambasadës së RFGJ-së makina “Robur” me targë TR 01-928 tentoi të hynte brenda në ambasadë duke ardhur në drejtim të policit të shërbimit me qëllim për ta shtypur. Polici qëlloi dy herë me pistoletë. Në këtë kohë mjeti fërkohet në faqe të murit ku 4 – 5 veta dalin sipër kabinës dhe nga karroceria e mbuluar e futen në ambasadë. Mbi mjet gjendet disa njolla gjaku”.
Paraditen e 2 korrikut 1990 rezulton se janë thirrur në MPJ përfaqësues të trupit diplomatik, ambasadorë, sekretarë të parë dhe diplomate të nivelit të lartë. Këta i ka pritur drejtori i Protokollit të Shtetit, Kostaq Çifligu. Njëkohësisht, këtë ditë, pati një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave. Në orën 10.30 hyjnë 6 persona në ambasadën italiane me një makinë tip “Tatra”, duke shqyer murin rrethues, kangjellat.
Në orën 19.00, 34 persona hyjnë në ambasadën e Republikës Federale Gjermane me një makinë “Skoda” të drejtuar nga Ylli Bodinaku, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21.00 një makinë “Skoda”, e mbushur me njerëz ka hyrë në ambasadën greke duke shpërthyer murin anësor.