Nga Kastriot Dervishi
Katër fotot bashkëlidhur tregojnë plane të ndryshme në Tiranën e korrikut. Mos harrojmë se në Tiranën e asaj kohe ekzistonin ende shtatoret e dy prej kriminelëve më të mëdhenj të njerëzimit, Leninit dhe Stalinit. Nëpër qytet mund të gjeje varur në ballkone portretet e anëtarëve të Byrosë Politike, siç është rasti në foto i ministrit të Punëve të Brendshme, ish saldatorit Simon Stefani, përgjigjes për vrasjet në kufi në periudhën shkurt-qershor 1990. Në ambasada u vra edhe një i ri, Altin Basha. Fotografia në ambasadën gjermane e bërë nga personeli i saj, tregon vendin ku i është dhënë ndihma e parë të ndjerit. Referuar raportit të Hetuesisë së Përgjithshme të datës 3.7.1990, për fillimin e hyrjes në ambasadën gjermane, thuhej:
“Organet e policisë ndaluan 76 persona. Me ta po vazhdohen hetimet për të sqaruar dhe vërtetuar përgjegjësinë e tyre për veprën penale të agjitacionit e propagandës për përmbysjen e pushtetit popullor të vendosur me kushtetutë. Nga këta persona, ka prej tyre që kanë marrë pjesë në veprimtarinë armiqësore, si dhe nga ata që janë marrë mbasi janë kontrolluar autobusët e linjës Tiranë – Kombinat, për të cilët nuk është përcaktuar akoma pjesëmarrja e tyre në demonstratë. Në bashkëpunim me organet e punëve të brendshme, po saktësojmë pjesëmarrjen e personave në veprimet demonstrative dhe goditjen e punonjësve të policisë. Nga hetimi dhe verifikimi në spitalin civil, del se janë plagosur 6 persona, për të cilët po punohet për t’i identifikuar. Një person tjetër, Altin Përparim Basha (mbiemri shkruar gabim në origjinal, “Barka”-shënim), veç 17, banues në rajonin e Kombinatit të Tekstileve, është plagosur me armë zjarri në pjesën e barkut. Dy punonjës të ambasadës së RF Gjermane thonë se ai është plagosur nga një polici në territorin e ambasadës dhe se e kanë sjellë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, duke organizuar edhe ruajtjen e tij në pavijon. Ai është operuar dhe ndodhet në reaminacion. Ata e trajtojnë si emigrant politik dhe kërkojnë të mos takohet njeri me të”.