Ëndërronte Australinë, vuajti 35 vjet në burgjet e komunizmit

Diel, 23 September 2018 17:57

Nga Kastriot Dervishi

Një tjetër rekordmen i burgosur saktësisht nga dy dënime me 35 vjet, 1 muaj, 11 ditë  është Haxhi Mekollo nga Arza e Korçës. Është dënuar në dy procese me të dënuarin më jetëgjatë në Shqipëri, Sami Dangëllinë. Babain ia kishin vrarë komunistët. Edhe vetë kaloi një jetë të vështirë, me gjithë këtë periudhë në burgje.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1945-1959, dënimi i parë

1959-1980, dënimi i dytë

-Mosha në fillim të dënimit: 22 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 57 vjeç

Dënimi i parë

Fillimisht u arrestua më 18.6.1945 dhe u akuzua për krime të kryera gjatë luftës sepse ishte anëtar i Ballit Kombëtar dhe se “kishte përçarë popullin e Devollit”. Vendimi i shkallës së parë është kontradiktor për vendin e arrestimit pasi thonë në një vend në Jugosllavi e në një vend tjetër në Shkodër. Me vendimin e Këshillit Gjyqësor Ushtarak të Korçës më 8.11.1945 në bazë të nenit 31 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Për organizimin e funksionimin e gjykatave ushtarake”, u dënua me vdekje, por me vendimin nr.367, datë 12.11.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake, vendimi iu kthye në burgim të përjetshëm. I tillë ngelet vendimi në bazë të urdhrit të Enver Hoxhës së datës 24.11.1945, (i cili ligjëroi dy ekzekutime të të njëjtin proces). Lirohet nga burgimi më 19.7.1959.

Dënimi i dytë

Më 2.11.1959 Haxhi Mekolli duke qenë i internuar, së bashku me shokun e tij Sami Dangëllia të dënimit të parë (edhe ai i internuar), synuan arratisjen, por u ndaluan në postën kufitare të Nikolicës në Rrethin e Korçës 700 metra larg kufirit. Haxhiu vëllain e kishte në Australi. Arratisja e tij synonte pikërisht vendosjen në këtë vend. Hetuesit të DPB Korçë, kapiten Petro Tasellari, Haxhiu deklaronte se pushteti komunist nuk u pëlqente sepse e burgosi dhe internoi. Vendimin e arratisjes e mori për një jetë më të mirë. Me vendimin nr.6, datë 13.2.1960, Gjykata Ushtarake e Tiranës i deklaroi fajtorë së bashku me Sami Dangëllinë dhe i dënoi me nga 25 vjet heqje lirie, aq sa kërkoi prokurori. U lirua më 12.11.1980.

Modifikuar më Diel, 23 September 2018 18:20
Login to post comments