Dosja e Sigurimit për Mit’hat Frashërin

E mërkurë, 14 November 2018 18:25

Nga Kastriot Dervishi

Për Mit’hat Frashërin, të cilësuar “kriminel lufte”, organet e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kishin çelur një fashikull, në përfundim të të cilit u regjistruan 225 dokumente (asnjë nuk është i klasifikuar). Duke parë listën e dokumenteve bindesh për cilësinë e dobët të përmbledhjes së tyre, si dhe për mungesën e thellë profesionale të organeve në fjalë. Duke shkëputur dokumente nga fonde të tjera arkivore, oficerët e paditur të Sigurimit, kanë krijuar një organikë dokumentare krejt pa objekt. Nuk është asnjë plan masash, nuk lexohet asnjë oficer Sigurimi e po ashtu asnjë bashkëpunëtor. Në vija të përgjithshme fashikulli mund të përmblidhet kështu:

-Dokument në frëngjisht i vitit 1919 i ligës franceze.

-Letër e Mit’hat Frashërit dërguar Fan Nolit nga Parisi në vitin 1921.

-Marrëveshje arkeologjike midis qeverisë shqiptare e asaj franceze e vitit 1923.

-Raport i këshilltarit austriak për financat, viti 1923.

-Letër drejtuar një personi (mundet kryeministri) në 15.11.1930.

-Letër e Xh.V.Zografit për Mit’hat Frashërin, datë 7.12.1932.

-Akti i shitjes së librarisë “Lumo Skëndo” dhe testamenti.

-Letër dërguar kryetarit të bashkisë së Prizrenit më 26.11.1942, ku thotë se është i pamundur për të përkujtuar Lidhjen e Prizrenit.

-Lista e komisionit me rastin e 500 vjetorit të kthimit të Skënderbeut, viti 1943 (10 veta).

-Letër e Fiqri Llagamit dërguar Lumo Skëndos, më 10.5.1943.

-Letër e Tefik Cangon.

-Shpallje e dokumente të Ballit Kombëtar të viteve 1943-1944, statuti, shpallje, etj.

-Letër drejtuar kolonelit Hill.

-Informacione të përgjithshme nga qëndrimi në Itali të vitit 1945.

-Trakt i klubit të rinisë antifashiste “Shqiptarët e Lirë”, 28.11.1946.

-Fjala e Mit’hat Frashërit më 7.12.1946, mundet e marrë nga gazetat

-Pjesë nga procesi i Et’hem Çakos, korrik 1949.

-Fjala në Radio Londra më 6.9.1949.

-Trakt i Ballit mbi vdekjen e tij, datë 5.10.1949.

-Gazeta (komuniste) “E vërteta mbi tradhëtorët e atdheut”, pa lidhje me objektin.

Nga organet e Sigurimit, si për shumë raste të tjera nuk ka asnjë plan për ndonjë eliminim fizik. Por mbetet i përhershëm dyshimi për një vepër të kryer nga organet sovjetike të spiunazhit.

Login to post comments