1978/Dy dënime me vdekje të procesit që mishëroi luftën e klasave (fotot e të ekzekutuarve)

Tuesday, 27 November 2018 17:45
Luftëtar Protoduari dhe Riza Azizi, dy të pushkatuarit, gjatë procesit hetimor (eksperimenti hetimor) dhe faksimile e vendimit Luftëtar Protoduari dhe Riza Azizi, dy të pushkatuarit, gjatë procesit hetimor (eksperimenti hetimor) dhe faksimile e vendimit

Sipas porosisë që dha partia, u formuan dy grupe. Grupi kryesor u dënua në sallë kinemaje dhe u bë dokumentar. Në përfundim të procesit, dy u dënuan me vdekje. Grupit  të parë shtua i pandehur Ushtar Muço Çobo (1949) nga Polizhani i arrestuar më 25.7.1977 dhe Riza Ahmet Azizi (1950) nga Poshnja, i arrestuar më 4.7.1977. Sako Protoduari i kaloi në grupin e dytë.

Grupi i parë

Çështja e grupit të parë u gjykua më 6-7 janar 1978 nga kolegji ushtarak i Gjykatës së Rrethit të Beratit. Procesi ishte një shfaqje e qartë e luftës së klasave, e kurrkund nuk kishte lidhje me ndonjë proces të rregullt gjyqësor. Trupa gjyqësore, ishte vetëm një agjitatore e flaktë e Partisë së Punës, ndërsa publiku përfaqësonte denjësisht njeriun e përgjumur që konsumonte imagjinatë e propagandë më shumë sesa buka. Spikat kjo pjesë te vendimi i gjykatës, që tregon thelbin e procesit:

“Partia jonë dhe shoku Enver, na mësojnë se lufta e klasave vazhdon edhe gjatë etapës së ndërtimit të plotë të shoqërisë socialiste në vendin tonë, sepse edhe pas likuidimit të klasave shfrytëzuese, vazhdojnë të jetojnë njerëzit që bëjnë pjesë në këto klasa. Këta janë të prirë drejt veprimtarisë antisocialiste dhe janë bartësit e përhapësit kryesorë të ideologjisë borgjeze e revizioniste. Këta elementë ushqejnë akoma shpresë për të rikthyer “parajsën” e humbur dhe kur kanë mundësi, bëjnë përpjekje për restaurim. Veprimtaria praktike që kanë zhvilluar këta 4 të pandehur është një konkretizim i qartë i këtij mësimi të partisë dhe shokut Enver”.

Gjykimi u bë duke u bazuar në Kodin Penal të vitit 1952, pavarësisht se Kodi i ri kishte hyrë në fuqi. U akuzuan për: tradhti ndaj atdheut (neni 64), diversion (neni 70) agjitacion e propagandë (neni 73), pjesëmarrje të një organizatë kundër pushtetit (neni 76). Në përfundim, me vendimin nr.1, datë 7.1.1978 gjykata i deklaroi fajtorë dhe krahas konfiskimit të pasurisë (nuk kish ngelur gjë) dhe heqjen e të drejtës zgjedhore i dënoi:

-Luftëtar Protoduari, me vdekje, pushkatim

-Riza Azizi, me vdekje, pushkatim

-Ushtar Çobo, me 25 vjet burgim

-Muharrem Protoduari, me 20 vjet burgim

U la në fuqi me vendimin nr.9, datë 28.1.1978 nga kolegji ushtarak i Gjykatës së Lartë. Vendimi u ekzekutua “në vendin e caktuar” në Berat më 27.2.1978

Grupi i dytë

Pak ditë më vonë, u dënua grupi i dytë i kulakëve. Procesi nuk u bë me bujë. Të pandehurit ishin:

-Halim Sadik Çobo (1918), lindur e banues në Polizhan, cilësuar kulak, arrestuar më 16.6.1977.

-Ahmet Isuf Hazizi (1920), lindur e banues në Polizhan, cilësuar kulak, arrestuar më 16.6.1977.

-Ahmet Qazim Çobo (1937), lindur e banues në Polizhan, cilësuar kulak, arrestuar më 7.5.1977.

-Sako Murat Protoduari (1910), lindur e banues në Poshnje të Beratit, cilësuar kulak, arrestuar më 12.3.1977.

Gjykata e Rrethit të Beratit, me vendimin nr.37, datë 15.3.1978, i deklaroi fajtorë në bazë të nenit 73 të Kodit Penal (agjitacion e propagandë) dhe i dënoi me nga 10 vjet burgim.

Login to post comments