1977/Si nisi dënimi i “kulakëve të Poshnjës”

Hënë, 26 November 2018 16:30
Pjesë e raporteve të vitit 1977 si dhe arrestimi ndaj Luftëtar Protoduari. Siç shihet nuk ka akuzë diversioni Pjesë e raporteve të vitit 1977 si dhe arrestimi ndaj Luftëtar Protoduari. Siç shihet nuk ka akuzë diversioni

Nga Kastriot Dervishi

Në vitin 1977 në Rrethin e Beratit u arrestuan disa kundërshtarë të regjimit që zhvillonin agjitacion e propagandë. Në dokumentet e kohës, ata cilësohen herë “grup kulakësh” e herë “grup ish kulakësh”. Në fund fare, në gjykatë i kanë lënë si kulakë. Është ndër rastet më tipike të rëndimit të akuzës nga agjitacioni e propaganda, te diversioni që do i shkaktonte gjoja dëme ekonomisë rrangallë komuniste. Ky zmadhim është bërë qëllimisht në mënyrë që procesi të shërbente edhe si instrument i propagandës shtetërore. Le të shohim dy njoftimet e para të nisjes së çështjes nga Drejtoria e Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në raportin e datës 28.5.1977 të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, për Komitetin Qendror të PPSH-së, me lëndë “Mbi veprimtarinë armiqësore të një grupi kulakësh”, njofton se ishin implikuar 26 persona, 3 prej të cilëve ishin arrestuar:

-Luftëtar Sako Protoduari (1952), lindur e banues në Poshnje të Beratit, “shtresë e pasur fshatare, ish i cilësuar kulak”, arrestuar më 6.1.1977.

-Sako Murat Protoduari (1910), lindur e banues në Poshnje të Beratit, “shtresë e pasur fshatare, ish i cilësuar kulak”, arrestuar më 12.3.1977.

-Muharrem Sako Protoduari (1955), lindur e banues në Poshnje të Beratit, “shtresë e pasur fshatare, ish i cilësuar kulak”, arrestuar më 21.4.1977.

Në raport pasi shpjegohet agjitacioni e propaganda, nuk thuhet asgjë për akte diversioni, por në fund bëhet fjalë për një sasi dinamiti që do siguronin (pra në kohën e ardhme) Luftëtari e Muharremi për t’u arratisur në Jugosllavi. Ndër të tjera në raportin e F.Shehut thuhet:

“Të pandehurit e mësipërm, duke qenë në pozita armiqësore me pushtetin popullor, vazhdimisht duke shfrytëzuar çdo rast në takime me persona të tjerë, kanë zhvilluar biseda nga më të ndryshme me karakter armiqësor. Këto biseda të përmendurit i kanë bërë kryesisht me elementë të deklasuar e të goditur nga pushteti popullor (kulakë e ish të cilësuar kulakë) që banojnë në zonën e mesit të urave të Rrethit Berat, kështu këta të pandehuri, në bisedat e zhvilluara kanë marrë në mbrojtje elementët armiq e tradhtarë, sidomos komplotistët Beqir Balluku e të tjerë, kanë folur kundër gjendjen ekonomike të vendit tonë, duke lavdëruar njëkohësisht gjendjen ekonomike të vendeve revizioniste-perëndimore dhe të kohës së regjimeve antipopullore në vendin tonë. Këta elementë armiq, e kryesisht i pandehuri Sako Prototuari, kanë synuar që të mbledhin rreth vetes së tyre elementë të rinj me prejardhje reaksionare, sepse siç shprehej ai, ‘ne tani u plakëm, por kur të vijë dita jonë djemtë tanë do t’i shkojnë në hell të skuqur këta leckamanë që qeverisin sot e na kanë marrë pasuritë’. Më qëllim që të shtonte te të tjerët urrejtjen karshi pushtetit popullor, ky i pandehur dhe bijtë e tij, bisedat armiqësore i kanë bërë duke mbledhur elementë të deklaruar në shtëpinë e tyre apo shtëpi të kulakëve të tjerë të asaj zone, duke u folur atyre për kohërat e lumtura që kishin kaluar kur ishin zotër të tokave që sot ua ka marrë pushteti popullor dhe duke bërë aluzione se ato kohëra përsëri do të vinin, po duhej që të mos humbisni shpresën. Gjithashtu duhet theksuar se Sako Protoduari i nxiste të tjerët që të ndërmerrnin akte dhune ndaj njerëzve të pushtetit duke u shprehur se “u kam thënë djemve të mi që t’i rrihnin të gjithë këta leckamanë të ndyrë që na kanë marrë tokat dhe na qeverisin ne sot...se do të vijë përsëri koha jonë dhe ne do të marrim hak për këto që po na bëjnë”. Dy të pandehurit e tjerë, Luftëtar e Muharrem Protoduari, duke parë se ndryshimi i situatës bë vendin tonë po zgjaste shumë, vendosën që të arratiseshin në Jugosllavi”.

Më 7.9.1977 ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu njofton Komitetin Qendror të PPSH-së për disa të pandehur që kishin krijuar “një organizatë kundërrevolucionare”, duke synuar ndër të tjera edhe hedhjen në erë të kaldajës së kombinatit të tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat. Tashmë zhvendoset edhe arratisja nga Jugosllavia në Greqi. Është zhvendosur krejtësisht objekti i hetimit, nga agjitacioni te aktet e diversionit. Implikoheshin 26 persona. Ministri i propozonte partisë organizimin e dy proceseve, (gjyqi i njërit që është i filmuar)  dhe një tjetër. Po ashtu do vazhdonte ndjekja nga Sigurimi e 15 të tjerëve.

Login to post comments