29 nëntori, "rilindja kombëtare" e Jugosllavisë komuniste, dita simbol (historia e festimit)

Premte, 30 November 2018 17:41

Nga Kastriot Dervishi

29 nëntori është festa e imponuar në Shqipëri, është një njollë e keqe në festat kombëtare që mbahen e tillë nga babëzia komuniste për të pasur simbole edhe në një rend tjetër si ai kapitalist. U pëlqen të jenë në një regjim tjetër nga materiale, por ama, ana shpirtërore nuk shkëputet nga komunizmi dhe dashuria e vjetër që lanë miladinat e dushanët. Është e turpshme mënyra se si këmbëngulet te një simbol komunist jugosllav i një kohe të shkuar, apo nëpërmjet formave festive agjitative me “net të bardhë”. 29 nëntori lidhet me Jugosllavinë komuniste në dy momente historike që i përkasin viteve:

-29 nëntor 1943, mbledhja e dytë e AVNOJ-it (Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar Jugosllav, ose KANÇ-i shqip siç imitohet në Shqipëri) në Jajce të Bosnjës. Këtu AVNOJ e quajti veten të vetmin pushtet legjislativ në Jugosllavi. Në rolin e një presidence u zgjodh një këshill me president Ivan Ribarin dhe në rolin e një qeverie një komitet me në krye Titon. Këtij iu dha grada e mareshalit dhe filloi të popullarizohej figura panballkanike e tij. Mbledhja vendosi gjithashtu formën republikane federative të Jugosllavisë së ardhshme si dhe i ndaloi mbretit Pjetër rikthimin në atdhe. Këto vendime u kopjuan në Shqipëri nga kongresi i Përmetit. Në të dy stemat e shteteve, janë datat e këtyre mbledhjeve, pra 29 nëntori 1943 për Jugosllavinë dhe 24 maji 1944 për Shqipërinë. Simboli i “bashkim-vëllazërimit” të popujve te ne është zëvendësuar me shqiponjën. Të tjerat janë njësoj.

-29 nëntor 1945, shpallja e Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, pas zgjedhjeve të 11 nëntorit 1945 për Asamblenë Kushtetuese të Jugosllavisë.

 

29 nëntori festë e Shqipërisë

Komunistët e Shqipërisë, imitonin komunistët jugosllavët në të gjitha drejtimet, madje deri në një servilitet të neveritshëm. Kjo vinte se drejtoheshin nga dy komunistë jugosllavë. Duke nisur nga përshëndetje “VFLP”, uniforma e partizanit, ylli i kuq në kapele, emërtesat si këshillat popullore, KANÇ-i, partia, formacionet ushtarake, qeverisja, etj, janë të gjitha jugosllave. E vetmja gjë që nuk kanë kopjuar është vetëm forma federative e qeverisjes, gjë që nuk ishte në dorën e tyre. Nuk gjë tjetër të mos e kenë komuniste jugosllave. 29 nëntori u caktua si festë kombëtare e Shqipërisë më 9 nëntor 1945. Në mbledhjen e Kryesisë së KANÇ-it, Bedri Spahiu propozoi që dita 28 nëntor “që koeçidoi me çlirimin e Shqipërisë, d.m.th. me rënien e Shkodrës”, të shpallej si “dita e independencës dhe çlirimit të Shqipërisë”, propozim i cili mori vetëm 5 vota dhe u rrëzua. Deri këtë kohë në Jugosllavi festohej 29 nëntori i 1943, i mbledhjes së Jajces. Me shpalljen e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, qysh në tetor 1945, në Jugosllavi po përhapej mendimi se shpallja e formës së re të regjimit, do të bëhej në 2-vjetorin e mbledhjes së Jajces, duke i dhënë kësaj dite një simbol të dyfishtë. Komunistët e Shqipërisë ishin vonuar në zgjedhjet për asamblenë, sepse i kishin më 2 dhjetor 1945. Praktikisht nuk kishin asnjë mundësi që ta votonin republikën më 29 nëntor 1945. Kësisoj, e vetmja mundësi përputhje ishte shpikja e 29 nëntorit të “çlirimit” për të unifikuar festimin. Sekretari i Sekretariatit të Frontit Demokratik të Shqipërisë, theksonte në përvjetorin e vitit 1947 se 29 nëntori ishte “dita e rilindjes kombëtare” të Jugosllavisë, se fitoret e saj ishin edhe fitoret e Shqipërisë “sepse rruga e të dy popujve nuk ndryshonte”. Ai ishte i bindur se populli shqiptar do ta festonte “me hare ditën e 29 nëntorit”, se ajo ishte “dita e rilindjes së miqve të shtrenjtë”, “rilindjes së miqve të shtrenjtë”.

***

Ecuria e festave në Shqipëri

Në rolin e një presidence në Shqipëri, në vitet 1944-1946 u vu Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar me kryetar Omer Nishanin e sekretar Koço Tashkon, i cili filloi të nxjerrë ligje (në fillim i quante vendime).

-Me vendimin nr.58, datë 9.5.1945 Kryesia e KANÇ-it, vendosi “Shpalljen e 9 Majit festëkombëtare”.

-Me vendimin nr.73, datë 22.5.1945, “Mbi shpalljen e festave zyrtare”Kryesia e KANÇ-it,  vendosi si festa kombëtare data:

16 shtatori, konferenca e Pezës

10 korriku, formimi i shtabit të ushtrisë

24 maj, kongresit të Përmetit

-Me ligjin nr.155, datë 9.11.1945, “Mbi të kremtet zyrtare” Kryesiae KANÇ-it, vendosi:

Festa kombëtare:

-28 nëntori (1912), shpallja e pavarësisë

-29 nëntori (1944), çlirimi i Shqipërisë

-9 maji (1945), fitorja mbi fashizmin

-24 maji (1944), kongresi i Përmetit

-10 korriku (1943), formimi i shtabit të ushtrisë

-16 shtatori (1942), konferenca e Pezës

Festa civile:

-1 janari

-1 maji

(vijojnë edhe 15 festa fetare)

-Me vendimin nr.194, datë 11.1.1946, Asambleja Kushtetuese vendosi 11 Janarin si ditë feste kombëtare.

-Me dekretin nr.1167, datë 31.10.1950, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi caktimin e ditës 7 Nëntor ditë festë zyrtare.

Login to post comments