Nga Kastriot Dervishi
Në radhë të parë duhet kuptuar se regjimi i Enver Hoxhës ishte triumfi i injorancës mbi inteligjencien. Ngulitja e përhapja e një regjimi të tillë të mbizotëruar nga të paditurit, veçse krijoi shtratin e një të keqeje me disa shtresa në Shqipëri. Për këtë arsye, njerëzit e ditur, jo vetëm urreheshin, por burgoseshin, persekutoheshin e vriteshin. Sjell sot, historinë e një njeriu nga më të rrallët në historinë e studiuesve shqiptarë, Vexhi Buharasë (1920-1987), orientalist, shkrimtar dhe përkthyes me kontribute, por si emri dhe si vepra e tij, jo shumë të njohura për publikun. Referuar hetuesisë ndaj tij, zhvilluar më 5.12.1947 nga hetuesi aspirant Emurlla Hoxha, biografia paraqitet si më poshtë. Më 1933-1943 ndjek medresenë e Tiranës. Në janar 1944 është emëruar sekretar i vakëfit të Beratit. Gjatë kësaj kohe shoqërohej me Namik Meqemenë, anëtar i Ballit Kombëtar dhe përgjegjës i rinisë së kësaj organizate në Berat. Në mars 1944, me propozim të Sejfi Protopapës ka mbajtur fjalimin me rastin e njëvjetorit të vrasjes së Jashar Cakranit. Me hyrjen e komunistëve në Berat, është arrestuar më 18.11.1944 dhe është mbajtur 4 muaj derisa u shpall i pafajshëm. Në janar 1946 preket nga reformat (vjedhjet) e komunistëve dhe ngel pa të ardhura. Gjatë kësaj kohe rrethi i tij shoqëror është: Kol Ashta, Hekuran Zhiti, Pandi Bogadini, Ruhi Zeko, Kostaq Stefa, Famir Shehu, Qamil Shehu, Abdyl Dobrenji. Vexhi Buharaja u arrestua më 7.9.1947 dhe u dënua me 8 vjet burgim, të cilin e vuajti në burgun e Beratit. Vuajti 2 vjet, 2 muaj dhe 12 ditë sepse u lirua me dekretin nr.962, datë 25.11.1949 (nr.113 i listës së dekretit nga burgu i Beratit) të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitet 1949-1965 i japin punë të rëndomta. Më 1965-1975 punon në sektorin e historisë në Institutin e Historisë, ku përkthen mbishkrimet osmane e arabe me vlerë për historinë e Shqipërisë. Nga kjo periudhë Vexhi Buharaja fitoi emër të mirë. Ai u bë pjesë e një grupi orientalistësh që dha kontribut themelor në historiografinë shqiptare. Kam pasur rastin të lexoj në AQSH përkthime me laps të këtij grupi njerëzish të mirë, vepra e të cilëve nuk është e identifikuar e gjitha. Sigurisht edhe plagjiatura është e mundshme t’i ketë ndodhur, d.th. që tgë tjetër të kenë përfituar nga puna e tij. Më 1975 Buharaja dëbohet nga Tirana dhe dërgohet në Berat. Një dosje e Sigurimit vijonte të ishte për të. Në ato vite të dëbimit, tregojnë se një grup studiuesish gjermanë që vizitoi Shqipërinë donte ta takonte. Njerëzit e regjimit komunist gënjyen duke thënë se Buharaja kish vdekur. Gjermanët deshën ta nderonin duke i vizituar varrin. Atëherë komunistët, krejt të paimagjinueshëm në barbaritë e tyre, i çuan të huajt në një varr të rremë, në të cilin ata menduan se nderuan Buharanë.
Historia e dënimit
Buharaja ishte pjesë e një “grupi” që mendohej se ishte i lidhur me anglo-amerikanët për rrëzimin e të ashtuquajturit “pushtet popullor”. Procesi ndaj tyre, mbyll asgjësimin e goditjes së inteligjencies beratase. Çështja e këtij “grupi” u gjykua nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit, me veprim në Berat, e përbërë nga kapitenët e parë Bexhet Mema (kryetar), Agush Gjergjevica (anëtar) dhe aspirant Hysen Pëllumbi (anëtar), duke pasur pranë prokurorin kapiten II Aranit Çela. U gjykua me një grup personash (gjithsej 14). Prokuroria Ushtarake e Beratit i akuzonte se “kanë zhvilluar aktivitet të gjithanshëm kundër pushtetit popullor dhe integritetit të Republikës, kanë marrë pjesë në organizatat dhe rreshtat tradhtare, të cilat kanë pasur për qëllim krijimin e një gjendje të tillë që të lejonte rrëzimin e pushtetit me violencë dhe okupimin e vendit tonë nga imperialistët anglo-amerikanë dhe monarko-fashistët grekë, kanë zhvilluar propagandë antipopullore, janë lidhur me të arratisur kriminelë lufte, kanë dhënë informata me karakter ushtarak, politik dhe ekonomik, spiunazhit të huaj, kanë sabotuar reformat e mëdha të pushtetit popullor, si dhe kanë tentuar formimin e çetave të armatosura për të goditur pushtetin”. Përgjithësisht të akuzuarit i mohuan akuzat. Vexhi Buharaja deklaronte se kish dëgjuar se ata që nuk kishin ndihmuar komunistët do të hiqeshin nga puna, do burgoseshin dhe do të zëvendësoheshin me kuadro të rinj. Çështjen deri në gjykatë e kish ndjekur prokurori Nasi Bandilli, por në fund u shfaq Aranit Çela. Rastin e trajtonte Seksioni i Sigurimit në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Berat (me shef Arif Selenica), me drejtor Strati Papën. Në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, me vendimin nr.9, datë 10.1.1948, gjykata i deklaoi fajtorë dhe i dënoi si më poshtë:
-Kostaq Vangjel Stefa (1905), lindur e banues në Berat, arrestuar më 9.9.1947, u dënua me vdekje, pushkatim.
-Ali Ruzhdi Orizaj (1912), lindur në Berat, banues në Orizaj, arrestuar më 8.9.1947, me 20 vjet burgim.
-Bektash Vefik Numani (1911), lindur e banues në Berat, arrestuar më 8.9.1947, me 20 vjet burgim.
-Izedin Halim Haznedari (1921), lindur e banues në Berat, arrestuar më 27.12.1946, me 20 vjet burgim.
-Andon Anastas Ziu (1908), lindur e banues në Berat, arrestuar më 8.9.1947, me 15 vjet burgim.
-Tok Angjel Salepi (1896), lindur e banues në Berat, arrestuar më 12.9.1947, me 15 vjet burgim.
-Miti Kristo Topija (1923), lindur e banues në Berat, arrestuar më 8.9.1947, me 10 vjet burgim.
-Vexhi Ibrahim Buharaja (1920), lindur në Veterik e banues në Berat, arrestuar më 7.9.1947 me 8 vjet burgim.
-Selami Halil Tepelena (1913), lindur e banues në Berat, arrestuar më 8.9.1947 me 5 vjet burgim.
-Fatmir Adem Shehu (1912), lindur e banues në Berat, arrestuar më 27.4.1947 me 4 vjet burgim.
-Asim Ali Agaçi (1907), lindur e banues në Sukë, arrestuar më 28.8.1947 me 2 vjet burgim.
-Selfo Kareman Hoxha (1860), (87 vjeç) lindur e banues në Dunavec, arrestuar më 19.10.1947 me 2 vjet me kusht.
-Muharrem Mehmet Siqeca (1865) lindur e banues në Kurjan, arrestuar më 11.9.1947, me 2 vjet me kusht.
-Qazim Hamit Luka (1914), lindur në Librazhd, arrestuar më 30.5.1947, i pafajshëm.