1944/Autorizimi i Mit’hat Frashërit për Dh.Fallon: Greqia të kërkojë Kosovën për Shqipërinë

Tuesday, 04 December 2018 11:01
Letra që Mit'hat Frashëlrin për Dhimitër Fallon, e cila iu mor nga komunistët pas vrasjes së tij Letra që Mit'hat Frashëlrin për Dhimitër Fallon, e cila iu mor nga komunistët pas vrasjes së tij

Nga Kastriot Dervishi

Gjatë valës antimitatiste, persona të njohur si komunistë, pra mbështetës të forcës që gjatë luftës drejtohej nga dy jugosllavë, filluan të na “tregojnë” një letër që iu mor Dhimitër Fallos pas vrasjes. Në dallim nga paraardhësit e tyre komunistë, këta nuk e lexonin të plotë, por mjaftoheshin me një tregim fotografik e tundje përpara kamerave. Kulmi arriti kur z.Xhufi njëri nga personat që mezi presin që të gjejnë ndonjë fije që të justifikojnë krimet e klikës së Enver Hoxha, rreshtoi disa të pavërteta, duke e mbyllur siç dinë komunistët, muajin antimitat. Në një intervistë për një të përditshme, më 29.11.2018, ndër të tjera, deklaron:

 “Akoma më zi, Mit’hati shkeli mbi historinë e tij personale dhe atë të familjes së tij, kur në fund të luftës, më 1944, i propozoi përfaqësuesve të qeverisë greke, gjeneralëve Chrysochou e Sarandis, krijimin e një federate greko-shqiptare dhe paraqitjen në Konferencën e Paqes me një delegacion të vetëm. Mit’hati propozonte që Shqipëria të hynte në këtë bashkim federal me Greqinë me kufijtë e Londrës, d.m.th. pa Kosovën e Çamërinë dhe me statusin e një province të nënshtruar, përderisa drejtimi i ushtrisë dhe i politikës së jashtme i liheshin prej tij Athinës”.

Dokumenti që kihet parasysh, por nuk lexohet është ai që iu gjet Fallos pas vrasjes, i datës 10.5.1944. Po Mit’hat Frashëri ka lëshuar një autorizimit të posaçëm për Fallon të datës 11.5.1944, në të cilën thuhet se mund të nënshkruante në emër të Ballit Kombëtar në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar. Në asnjë pikë të letrës drejtuar Fallos nuk del që Shqipëria të jetë trajtuar “provincë”, apo të humbë sovranitetin e saj. Në asnjë pikë nuk është hequr dorë nga Kosova, por është parashikuar që Greqia do merrte detyrimin për të mbështetur këto pretendime të Shqipërisë. Mit’hat Frashëri nuk ka qenë personi kryesor nga grupi që po bisedohej. Madje ai nuk ishte as në dijeni të faktit se Kostaq (Koço) Kotta nuk përfaqësonte asnjë palë në bisedime, por ishte si privat e dëgjues. Po ashtu është si përfaqësues i Kosovës, Selman Riza (z.Xhufi, ndoshta mëton se e do Kosovën më shumë se Selman Riza, e për këtë arsye nuk e përmend fare), Xhavit Leskoviku (personi kryesor i qeverisë shqiptare) dhe Koço Tasi (që do ishte delegati tjetër i Ballit Kombëtar). Kryenogociatori Xhavit Leskoviku e ka sqaruar mirë gjithë historinë e bisedimeve në gjyqin special në mënyrë publike (në vijim më shumë info për të). Ndryshe nga ç’thotë z.Xhufi, Mit’hat Frashëri ka synuar që të bëjë palën greke për të luftuar në konferencën e paqes në mënyrë që Kosova dhe viset e tjera t’i bashkoheshin Shqipërisë. Kjo sepse kufijtë nuk caktohen nga marrëveshje partish, por në konferenca të rangut ndërkombëtar me pjesëmarrjen e fuqive. Politikisht ka hequr dorë nga Çamëria për të konsoliduar kufirin shqiptaro-grek që Greqia nuk e njihte, por pozicioni politik i Mit’hat Frashërit përsëri është shumë më përpara se ai i komunistëve që të lidhur me jugosllavët nuk ishin për asgjë. Z.Xhufi nuk thotë të vërtetë kur thotë se politika e jashtme dhe ajo ekonomike do drejtoheshin nga Greqia. Kjo nuk gjendet kurrkund. Çështja e sanksionimit të sovranitetit të shtetit shqiptar është pika e parë e letrës. Si përfund, nuk do çuditem fare nëse z.Xhufi nuk e ka lexuar fare tekstin, sepse materiali që gjendet në AQSH, dihet që nuk është konsultuar kurrë prej tij. Kërkesat e Mit’hat Frashërit për “marrëveshjen” (që nuk u nënshkrua kurrë) në letrën drejtuar Fallos, në mënyrë të shkurtuar ishin:

-Pavarësi e plotë e dy shteteve (Greqi dhe Shqipëri).

-Kufijtë do ishin ato të 1939-s.

-Aleancë mossulmimi dhe lidhje ushtarake.

-Traktate ekonomike të ngushta midis dy vendeve.

-Përpjekje sa më parë të lidhje Greko-Turke-Shqiptaro.

-Në rast lufte, Greqia do kishte komandën e përgjithshme.

-Përballë rrezikut sllav, Greqia do përkrahte në konferencën e paqes, pretendimet shqiptare për Kosovën e Dibrën.

-Minoritetet nuk do ishin pengesë.

Modifikuar më Tuesday, 04 December 2018 11:10
Login to post comments