1944/Pasaporta e Dhimitër Fallos pas vrasjes nga komunistët (fotografia)

Hënë, 03 December 2018 16:45

Nga Kastriot Dervishi

Në vigjilje të sjelljes së eshtrave të Mit’hat Frashërit, në kuadër të fushatës komuniste të denigrimit të emrit të tij, pati disa aludime sikur i ndjeri kish bërë marrëveshje për “shitjen” e Shqipërisë e kësisoj kishte tradhtuar idetë kombëtare. Shkruesit e këtyre tezave (sigurisht të njohura gjatë periudhës së diktaturës), që asnjëherë nuk përmendin praninë jugosllave gjatë luftës, si dhe sigurisht nuk i komentojnë aktet e hapëta në kundërshtim me interesat shqiptare si bashkimi doganor me Jugosllavinë dhe unifikimi i monedhës të vitit 1946, qëllimisht kanë dashur të njollosin Mit’hat Frashërin në një çështje që kurrë nuk u bë akt zyrtar dhe që vetë Mit’hati nuk ka qenë protagonisti kryesor. Ndërsa komunistët gjatë luftës ishin të prerë për të mos kaluar Shqipërinë e 1913-s, nacionalistët e kohës ishin për shumë më tepër se kaq. Kërkesa për bisedime ka ardhur nga pala greke. Përveç idesë së konfederatës, qëllimi ishte që Greqia të njihte kufirin jugor të Shqipërisë, si dhe të kërkonte në konferencën e paqes që Kosova e viset e tjera në Jugosllavi të bashkoheshin me Shqipërinë. Pikërisht këtë të fundit, ata që e akuzojnë Mit’hat Frashërin për “shitje”, nuk e përmendin fare në sulmet e tyre. Përdorimi i veçantë i emrit të tij, nuk është bërë veçse me dashakeqësi. Njëri nga personat që ishin në bisedimet e Selanikut, ishte Dhimitër Fallo (1899-1944). Ai dërgoi dy raporte të datave 18 dhe 23 prill 1944. Fallo u vra nga komunistët më 31.7.1944 në Korçë, në kohën që bisedimet ishin ndërprerë e nuk po zhvilloheshin. Ka gjasa që kjo ndërprerje të ketë ardhur për shkak të masakrave në Çamëri. Dokumentet që iu zunë Dhimitër Fallos, u trumbetuan nga komunistët si akte të “tradhtisë kombëtare”. Në ditët në vijim, do sjell deklarata të protagonistëve të bisedimeve të Selanikut, si dhe të deklaratave të gënjeshtërta të z.Xhufi këto ditë, etj.

Modifikuar më Hënë, 03 December 2018 19:18
Login to post comments