Demonstrata e 14 dhjetorit 1990 në Durrës, si cenim i “bashkëjetesës socialiste”

Premte, 14 December 2018 10:01

Nga Kastriot Dervishi

Në orën 18.00 të 14 dhjetorit 1990 edhe në Durrës është zhvilluar një demonstratë antikomuniste. Ndryshe nga demonstrata e të njëjtës datë në Elbasan apo qytete të tjera të vendit kjo e Durrësit, ka ngelur thuajse e panjohur. Demonstrata ka pasur disa të dënuar, ndër të cilët edhe Gjergj Thanasi. Për mungesë mbledhje të dhënash, grupi i gjithë të arrestuarve e të dënuarve, nuk njihet tërësisht. Po e kujtoj këtë ngjarje, bazuar mbi një proces ndaj dy pjesëmarrësve, të cilëve gjykata iu kujtoi se cenonin “bashkëjetesën socialiste” (ishte pranuar pluralizmi ndërkohë).

Gjykata e Rrethit Durrës e përbërë nga Lejla Muzina dhe ndihmësgjyqtarët Avdyl Lluri e Hysni Bylyku, duke pasur pranë prokurorin Mihallaq Bleta, i deklaroi fajtorë në bazë të disa neneve të Kodit Penal dhe dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.7408 të datë 31.7.1990 “Për mbledhjet grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve në vende publike”, dhe me vendimin nr.273, datë 18.12.1990, i ka dënuar: Isuf Tufa me 10 vjet burgim dhe Ibrahim shqarthi me 1 vit. Në vijim të ndryshimeve politike, Gjykata e Zonës së Durrës (funksion apeli) me vendimin nr.7, datë 23.1.1991, i ka ndryshuar 10 vitet e Isuf Tufës në 3 vjet.

Pjesë nga arsyetimi i gjykatës:

“Të pandehurit Isuf Tufa dhe Ibrahim Shqarthi janë punonjës të NTUS Durrës. Më date 14.12.1990 janë vënë në dijeni për grumbullimin e kundërligjshëm që do të bëhej në orën 18.00 në qytetin e Durrësit dhe me marrëveshje, vendosën të marrin pjesë në atë grumbullim. Kështu nuk janë ndarë fare me njëri-tjetrin pas përfundimit të punës dhe në pritje të grumbullimit kanë ndenjur në shtëpinë e të pandehurit Ibrahim...

Ndër të tjera, u provua se i pandehuri Isuf, në mënyrë të dukshme, me mospërfillje të hapur ndaj shoqërisë dhe me mosrespektim flagrant të rregullave elementare të bashkëjetesës socialiste, ka bërtitur me zë të lartë si në kundërshtim me nenin 2 të dekretit nr.7408, datë 31.7.1990 të PKP-së, ka marrë pjesë në grumbullimin e datës 14.12.1990. me veprimet e tij, në bashkëpunim me të tjerët, i pandehuri ka prishur qetësinë publike, ka cenuar në mënyrë të dukshme sigurimin shoqëror, vepër që ka qenë shoqërisht e rrezikshme”.

Login to post comments