Nga Kastriot Dervishi
14 dhjetori 1990 është dita e demonstratës antikomuniste të Elbasanit. Këtu u hodhën parullat: “Enver – Hitler”, “Poshtë diktatura e proletariatit”, “Hekuran – Sllobodan”, “Poshtë Nexhmije Hoxha”, “të largohet policia”, “Liri demokraci”, etj. Një numër i madh qytetarësh pjesëmarrës u arrestuan. Një nga hetuesit e çështjes ende nuk e kuptonte se “pushteti popullor” quhej i rrëzuar me pranimin e pushtetit popullor. Në aktakuzën e formuluar më 17.12.1990, hetuesi Ilia Bano, ndër të tjera shkruan:
“Të pandehurit... duke qenë të paformuar ideologjikisht, me mbeturina të theksuara mikroborgjeze e të armiqësuar me pushtetin popullor, më datë 14.12.1990 kanë marrë pjesë në veprimet e huliganëve në qytetin e Elbasanit...Veprimet e të pandehurve që kanë dëmtuar pronën socialiste në këtë datë kualifikohen si diversion e kjo për arsye se ato synojnë të dobësojnë e minojnë pushtetin popullor. Ato haptazi u kundërvihen proceseve demokratizuese në vendin tonë e në këto mënyra këto forca të errëta bien në kundërshtim me normat e çdo lloji morali e me ligjet në fuqi në vendin tonë”.