Nga Kastriot Dervishi
Keqtrajtimi që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri me burgosje, internime, përndjekje, etj, pranohet nga udhëheqësit komunistë, duke na dëshmuar se kjo ka qenë politikë zyrtare e shtetit internacionalist komunist, i cili qante hallin e revolucioneve nëpër botë teksa urrente vëllezërit e një gjaku matanë kufirit. Në mbledhjen e datës 21.6.1986 të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSH-së, midis sekretarit Foto Çami dhe sekretarit të parë Ramiz Alia diskutohet edhe çështja e emigracionit kosovar.
Biseda
Shoku Foto Çami: Nga Ministria e Punëve të Brendshme na erdhi një relacion për emigrantët kosovarë që janë këtu dhe u tërhoqa vëmendjen për një kujdes më të madh për ta. Ka shumë ankesa dhe kërkesa nga emigrantët kosovarë. Nga ata ka kërkesa dhe ankesa që janë të drejta dhe shokët u kanë dhënë të drejta, por nuk i sqarojnë. Shokët e komiteteve të partisë së rretheve nuk dinin gjë fare që ka një vendim qeveri për trajtimin e tyre, kush merret me këtë punë, etj. ndërsa organet e punëve të brendshme, të bëjnë detyrën që u takon. Dy të rinj emigrantë kosovarë kishin mbaruar fakultetin dhe i emëruan në Fier. Aty mbetën disa muaj pa punë. Njërin prej tyre e emëruan në një fshat të Rrethit të Fierit, ku shumica dërrmuese ishin të internuar. U desh të ndërhynim ne që ta vendosnin në qendër.
Shoku Ramiz Alia: Me çështjen e emigrantëve kosovarë merret komiteti ekzekutiv, mbase nuk merret mirë, por ai e ka për detyrë ta ndjekë këtë çështje, por duhet të kujdeset edhe partia. Qëndrimet e komiteteve ekzekutive të Fierit dhe të Mirditës nuk janë korrekte. Organet tona duhet të kujdesen veçanërisht për të rinjtë në mënyrë që ata të bëhen të mirë. Në qoftë se ato do të mbeten jashtë kujdesit të njerëzve tanë me ta, do të punojë i ligu. Shpesh herë njerëzit tanë druhen të mos përzihen me kosovarët, mendojnë që të tjerët kushedi ç’thonë, prandaj gjejnë më të përshtatshme ta lënë mënjanë. Ky nuk është ky nuk është qëndrim i mirë, njerëzit tanë, përkundrazi, duhet të rrinë e të punojnë bashkë me kosovarët. Qëndrimi ndaj emigrantëve kosovarë është një problem mjaft kompleks. Edhe organet e Sigurimit të Shtetit në përgjithësi kanë mbajtur një qëndrim jo shumë korrekt, ka prej tyre që thonë bile, pse shoqërohet ky ose ai njeri me emigrantët? Njerëzit tanë duhet të ndikojnë për mirë te emigrantët kosovarë.