1976/Pallati i papërfunduar i sportit te Namazgjaja në Elbasan, dënimi i inxhinierit

E Enjte, 03 Janar 2019 17:31

Nga Kastriot Dervishi

Në fushën e Namazgjasë në Elbasan, nisi të ndërtohej në vitet ’70 pallati i sportit i qytetit. Kjo vepër ishte marrë përsipër vullnetarisht nga ing.Shkëlqim Bumçi deri ngritjen në nivel skeleti të objektit. Punimet u ndërprenë kur ato ishin në fazën e themeleve sepse inxhinieri u godit për një çështje tjetër. Formalisht u tha se shpenzime të tepërta. Pallati i lojërave me dorë ishte vendosur të ndërtohej në bazë të VKM-së nr.196, datë 25-26 nëntor 1970 (VKM me dy data, rast i rrallë). Punimet filluan në prill 1971 dhe u ndërprenë pas 5 vjetësh. Ing.Shkëlqim Bumçi i akuzuar për një çështje tjetër sa familjare aq edhe politike, u arrestua më 18.2.1976. Fotografia bashkëlidhur është e vitit 1976.  Për shumë vite, pamja e një pallati sporti në ndërtim te Namazgjaja ngeli e ngrirë. Shumë vite më vonë vendi u kthye në lulishte.

Veprat e hekurudhës Elbasan-Përrenjas (ura e Bushtricës), punimet në kombinatin metalurgjik si dhe pallati i sportit u përdorën nga hetuesia për ta mbështetur akuzën e saj. Për dy të parat u specifikua “dëmi” financiar. Në vendimin e gjykatës ndër të tjera thuhej se dënimi jepej: “...për shkak të karakterit të tij, me shfaqje të theksuara të liberalizmit, mendjemadhësisë, arrogancës, prepotencë, lavdisë personale, të ushqyera këto më tepër edhe nga ideologjia borgjeze-revizioniste, me të cilën ai ka marrë kontakte disa herë dhe drejtpërdrejt, degjeneroi moralisht dhe politikisht në një element me koncepte armiqësore, të cilat e kanë konsideruar atë dhe janë shfaqur gjatë veprimtarisë së tij shtetërore...”.

Me vendimin nr.8, datë 24.7.1978 (2 vjet e gjysmë pas arrestimit) të Gjykatës së Lartë, në bazë të neneve 72 (sabotazhi) e 73 (agjitacioni e propaganda) të Kodit Penal të vitit 1952, ing.Bumçi u dënua me 20 vjet burgim. U lirua më 11.4.1986.

Login to post comments