1950/I paraburgosuri që u varros në qelinë e Burgut të Gjirokastrës

Tuesday, 08 Janar 2019 17:27
Shkresa e Jani Naskës dhe burgu nr.17 i Gjirokastrës Shkresa e Jani Naskës dhe burgu nr.17 i Gjirokastrës

Nga Kastriot Dervishi

Burgu politik nr.17 i Gjirokastrës në kalanë e këtij qyteti funksionoi në vitet 1944-1953. Është cilësuar si ndër më të tmerrshmit e kohës së diktaturës në të cilin kanë vuajtur dënimit të paraburgosur dhe të burgosur. Përbëhej nga një sallë e madhe si dhe disa qeli. Shërbente një personel prej 54 vetash (50 ushtarë, 3 nënoficerë, 1 oficer) dhe një togë speciale prej 34 vetash. Të dhënat e pakta dëshmojnë se në vitin 1950 në këtë burg qëndronin rreth 740 të burgosur ndërsa kapaciteti i burgut ishte për rreth 350 persona. Bronshiti, malaria, reumatizma, dizenteria, TBC-ja, dhe sifilizi sëmundjet mbizotëruese në këtë burg. Gjirokastra mban numër të lartë pushkatimesh në vitet e para të komunizmit, ndërsa vendi kryesor i ekzekutimeve ka qenë te varrezat e qytetit. Burgu nr.17 është përdorur edhe për të arrestuar sekretë. Dy prej tyre ishin Isuf Dervina dhe Shefqet Kruçi, arrestuar në tetor 1949. Një informacion për një vdekje dhe varrosje në një nga qelitë e këtij burgu. Në një shkresë të datës 12 qershor 1951 të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme Gjirokastër, Jani Naska, merret vesh se kushtet e tyre ishin të këqija, si dhe një vdekje. Në raport ndër të tjera gjenden edhe këto fjalë:

“Këta duke qenë të izoluar për një kohë të gjatë prej 2 vjetësh, nga ana shëndetësore janë katandisur aq keq saqë nga dita në ditë po ju rrezikohet vdekja. Neve për mirëmbajtjen e tyre, kemi treguar kujdes të veçantë dhe herë pas herë ju kemi dhënë ushqime plus racionit që ju jep shteti, por ndonjë efekt të madh për shëndetin e tyre nuk ka bërë...për vetë natyrën e burgut të Gjirokastër, i cili të izoluarit me afat të gjatë dhe që nuk shohin diellin me sy, i kalb me siguri, si kalbi këta”.

“Duke qenë në këtë gjendje, në nëntor 1950, njëri prej 4 të paraburgosurve vdiq, quhej Shefqet Kruçi. Për vdekjen e tij kemi njoftuar telegrafisht dhe me relacion Degën e 2-të, e cila me telefon njoftoi ish kryetarin e Degës, major Kopi Nikon që i vdekuri të varroset sekret duke mos e ditur njeri dhe se mbas urdhri të nënkolonel Niko Cetës ne e varrosëm në një birucë brenda në kala dhe për varrimin e tij kemi njoftuar me shkresën tonë...datë 10.11.1950 Degën e 2-të”.

Në këtë shkresë njoftohet edhe gjendja e të paraburgosurit tjetër Isuf Dervina, i mbuluar i gjithë nga qelbi. Me gjithë njoftimet, asgjë nuk u bë sepse  vdiq më 15.6.1951. Për këtë rast nuk jepen të dhëna mbi varrimin e tij.

Login to post comments