Nga Kastriot Dervishi
Më 27-30 nëntor 1966 pasi la Sarandën, udhëheqësi iu drejtua vendlindjes, Gjirokastrës. U zhvilluan shumë takime dhe disa fjalë u hodhën në kartë në ditarin e diktatorit. Fotografët fiksuan shumë foto. Diktatori vizitoi kooperativa e uzina. Shumica e tyre nuk u bënë pjesë e albumeve. Nuk u gjetën interesante. Dukej një popull i lodhur dhe i trembur. Njëra prej tyre ishte edhe kjo e bërë me një njeri të ri, por të vjetër në moshë të kalitur nga revolucioni. Është sajuar me veshje ushtari e po bisedon në rrugë. Veshja e të moshuarit është shumë teatrale. Ai është mobilizuar për të treguar gatishmërinë e tij në mbrojtje të revolucionit. Teksa e këqyr me endje, diktatori mban cigaren në dorë, ndërsa plaku nuk e sheh as në sy.
Në ditar, diktatori E.Hoxha shkruan ndër të tjera: “Vizitën e parë e bëra në Uzinën Metalike. Uzinë e bukur, e re, me zgjerimin e asortimente. U gëzova shumë kur pashë se shumica dërrmuese e atyre që punonin atje ishin vajza të reja me arsim 7-vjeçar dhe me gjimnaz... Vajta vizitova kooperativat e artizanatit. Shumë gra punojnë në to dhe janë të zellshme, të gëzuara, punëtore. Gruaja ka hyrë gjerësisht në prodhim dhe sulmon me vrull përpara…U fola grave për problemet e kohës”.