Nga Kastriot Dervishi
Programi i parë shqip i “Zërit të Amerikës” ka filluar më 13 maj 1943, u ndërpre në vitin 1945 dhe rifilloi më 13 maj 1951. Ky stacion ka qenë antihelmi më i mirë për shqiptarët nën diktaturën komuniste, pikërisht atëherë kur përballeshin me një sistem kriminal, i cili propagandën dhe krimin e kishte mjetet kryesore të sundimit. Në raporte të ndryshme të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit apo më vonë të Drejtorisë e Tretë të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, radiostacioni “Zëri i Amerikës”, shihej me shqetësim prej udhëheqjes komuniste, si një prej zërave kryesore që mund të bënte pasuksesshme propagandën komuniste të regjimit. Ndër shumë informacione, një i tillë ishte edhe studimi me 12 faqe, nr.158, datë 12.6.1987 “Mbi drejtimet dhe synimet kryesore të veprimtarisë armiqësore të SHBA-së dhe zbulimit amerikan nëpërmjet “Zërit të Amerikës” kundër vendit tonë gjatë vitit 1986”, i cili iu dorëzua sekretarit të parë të KQ të PPSH-së, Ramiz Alia. Duke analizuar emisionet, Sigurimi dilte në përfundimet se synimet gjatë vitit 1986 kishte qenë dy: të krijohej ideja te dëgjuesi për një front unik perëndimor kundër regjimit komunist në Shqipëri dhe mosprononcimi i drejtpërdrejtë i SHBA-së të qëllimit të tyre final të “përmbysjes së pushtetit popullor në Shqipëri, duke u përpjekur kështu të nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve”.Transmetimet sipas analizës nxisnin “inkurajimin e shfaqjeve të huaja në përgjithësi e liberalizmit në veçanti, sidomos të rinjve”, duke synuar “t’i infektonin këta kundër normave të moralit komunist dhe ideologjisë socialiste”. Shihej me shqetësim njohja me të drejtat e njeriut.
Në fund, sigurimi analizonte se synimet e “Zërit të Amerikës” ishin:
-Kundërvënia ndaj politikës konsekuente marksiste-leniniste të PPSH-së e shtetit.
-Goditje emrit të E.Hoxhës, veprës së tij, luftën së klasave, diktaturës e parimit të mbështetjes në forcat e veta.
-Demaskimi i socializmit si pa perspektivë.
-Presion për liberalizim të politikave të brendshme e të jashtme.
-Propagandim ndaj rreziqeve ndaj rreziqeve të sovranitetit dhe integritetit territorial nëse nuk hapet me SHBA-në dhe Europën.
-Propagandim për daljen nga izolimi, marrjen e kredive, etj.
-Nxitjen e pakënaqësive, përpunimi i opinionit dhe inkurajimi i elementit armik, propagandim për epërsinë e kapitalizmit, pronës private, etj.
-Propagandimi i lirisë së individit.
-Inkurajim i besimit fetar.
-Nxitje të arratisjeve.
Ekstrakte nga raporti i Drejtorisë së Tretë të MPB-së për “Zërin e Amerikës”
“Nga studimi dhe analiza e përmbajtjes, tematikës dhe problematikës së emisioneve të “Zërit të Amerikës” gjatë vitit të kaluar del se ato kanë synuar kryesisht të demaskojnë dhe denigrojnë socializmin në vendin tonë, politikën e jashtme e të brendshme të partisë e të shtetit, diktaturën e proletariatit, politikën ekonomike të mbështetjes në forcat tona, masat revolucionarizuese, rendin socialist në përgjithësi, etj, të shoqëruara me presione të ndryshme politiko-ideologjike e psikologjike për domosdoshmërinë e daljes nga “izolimi”, hapjes e afrimit me Perëndimin e SHBA-në, liberalizimin e jetës së vendit, mënyrës së të menduarit e të vepruarit, etj”.
“Një drejtim tjetër i veprimtarisë armiqësore i “Zërit të Amerikës” ka qenë edhe kundërvënia ndaj teorisë marksiste-leniniste, klasikëve të marksizëm-leninizmit e ndaj socializmit në përgjithësi si “rënd pa perspektivë dhe i destinuar të dështojë, si rend që nuk solli e nuk mund të sjellë bollëkun e parajsën e premtuar”, etj.
“Edhe lëvizjet komuniste e punëtore në shtete të ndryshme në botë e në veçanti në Amerikën Latine, akuzohen si “shkaktare për ardhjen në fuqi të disa regjimeve ushtarake”. Pra “Zëri i Amerikës” synon të lëkundë edhe besimin e bindjen se e ardhmja i takon socializmit dhe kapitalizmi është rend i destinuar të dështojë e shkatërrohet”.
“Një drejtim kryesor i veprimtarisë armiqësore të SHBA-së e zbulimit amerikan nëpërmjet “Zërit të Amerikës” është kundërvënia ndaj politikës e qëndrimit të palëkundur të partisë e të shtetit ndaj dy superfuqive si dhe shteteve të tjera kapitalisto-revizioniste, në mënyrë të veçantë ndaj planeve skllavëruese, ekspansioniste e luftënxitëse të SHBA-së e Bashkimit Sovjetik. Duke synuar të na ulë vigjilencën ndaj rrezikut të jashtëm, rrethimit kapitalisto-revizionist e synimeve armiqësore të shteteve të ndryshme ndaj nesh (për SHBA-në këto janë slogane bajate).
“Një vend të rëndësishëm në kundërvënien ndaj politikës së jashtme e sidomos asaj të brendshme të partisë tonë i është kushtuar propagandimit të shumë analizave, studimeve, komenteve e shkrimeve mbi “gjendjen e vështirë ekonomike” dhe “perspektivën e errët” të Shqipërisë, në rast se do të vazhdohet të ndiqet vija e deritanishme politike. Në këtë kategori programesh është theksuar se “vështirësitë ekonomike në rritje” dhe shkaqet e prapambetjes janë “një nga fatkeqësitë e trashëguara nga vija politike e ndjekur nga Enver Hoxha”, se situata e tanishme e Shqipërisë i ka rrënjët në qëndrimin e rreptë ideologjik dhe në politikën që ndiqet nga autoritetet e saj, duke mos marr kredi nga jashtë, etj. në mjaft komente të kësaj natyre sulmohet planifikimi i centralizuar i ekonomisë dhe rekomandohet inkurajimi i “iniciativës dhe ndërmarrjeve private, zgjerimi i tregtisë me jashtë, lejimi i investimeve nga firmat e huaja”, etj, si domosdoshmëri për mëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies”.
“Nga studimi i përmbajtjes së lëndës së transmetuar nga “Zëri i Amerikës” gjatë vitit 1986, del se nëpërmjet këtij organizmi nuk synohet vetëm opinioni brenda vendit tonë, por edhe ai në Kosovë e jashtë atdheut”.