Nga Kastriot Dervishi
Për demonstratën që synonte rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër, në fund u dënuan 10 vetë. Kjo ngjarje kishte edhe një vendim administrativ internimi ndaj vëllait të një të dënuari e djalit të tij. Me vendimin nr.2 të, datë 30.4.1990 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga Shefqet Muçi (kryetar), me ndihmësgjyqtarët Burhan Spahiu e Donika Jaupi, duke pasur pranë prokurorin Teodor Mosko, i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe i dënoi me burgim si vijon:
1-Dedë Mark Kasneci (vitlindja 1943), 12 vjet
2-Gjergj Kolë Livadhi (1952), 8 vjet
3-Rin Zef Monajka (1953), 7 vjet
4-KolecNdoc Hublina (1953), 5 vjet
5-Aldo Hajro Perizi (1962), 4 vjet.
6-Klaudio Aleksandër Daka (1968), 4 vjet
7-Nikolin Gjon Margjini (1956), 3.5 vjet
8-Flamur Fiqiri Begu (1953), 3 vjet
9-Tonin Gaspër Dema (1955), 8 muaj
10-Nikolin Zef Thana (1961), 5 muaj
Me përjashtim të N.Thanës dhe T.Demës, të gjithë akuzoheshin për agjitacion e propagandë sipas nenit 55/1 të Kodit Penal. Me nenet e tjera të këtij kodi akuzoheshin kështu:
Neni 11 (përgatitja e tentativa): Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi.
Neni 52 (diversioni): Dedë Kasneci.
Neni 112 (moskallzimi i krimit): Nikolin Margjini, Nikolin Thana, Rin Monajka, Tonin Dema.
Akuza për krijimin e një “organizate kundërrevolucionare” nuk u provua. Gjykata e konsideronte “demonstratë antisocialiste” dhe të pandehurit “me rrezikshmëri të madhe shoqërore”. Megjithëse ishte viti 1990, i cili shënon vetëm 6 vendime, Komisioni Qendror i Internim Dëbimeve me vendimin nr.1, datë 10.2.1990 vendosi internimin në Malinat të Beratit 60 të vjeçarit Zef Mark Kasneci dhe djalin e tij 25 vjeçar Frano. Ky internim bëhet për shkakun se vëllai i Zefit, Deda, kishte marrë pjesë në demonstratën. Internimi u dha për 6 muaj, por me vendimin nr.5, datë 2.5.1990, ata u liruan.