Nga Kastriot Dervishi
Në rrethet ku enverizmi u shfaq i ashpër në javën e fundit të muajit shkurt 1991, Partia e Punës fitoi me shumicë absolute zgjedhjet e 31 marsit 1991. Po ashtu në rebelimin e marsit 1991, qelbi enverist këtu kishte shtratin më të ngrohtë për të shfaqur qelbësirën e tij. Mitingjet e shkurtit 1991 dhe ngjarjet e marsit 1997 kanë enverë midis tyre. Në rastin e parë enverizmi nuk shpërtheu aq keq i armatosur, ndërsa në rastin e dytë, u shfaq i armatosur. I gjithë kontingjenti kriminal udhëhiqej nga oficerë sigurimi e ushtrie, ish funksionarë të lartë komunistë, etj, tregues mjaft të qartë se këta do ishin faktorë pengues të një rruge normale të Shqipërisë. Në arkivat tona ka fare pak shenja të aktivitetit të enveristëve në shkurtin e vitit 1991. Njëri ndër to është telegrami që ata të Gramshit, një enklavë shumë e kuqe dhe e indoktrinuar , i dërgonin Ramiz Alisë në vitin 1991. Të shkëputur nga çdo lloj realiteti, duke jetuar me efektet e propagandës së gjatë enveriste, ata mbronin figurën më kriminale dhe më terroriste që kish njohur Shqipëria ndonjëherë. Shqipëria ishte në krizë të thgellë si pasojë e qeverisjes së keqe komuniste, por këta nuk kuptonin asgjë. U dukej normale.
***
Telegram, shokut Ramiz Alia, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Tiranë
Ne përfaqësuesit e Bashkimit të Veprimtarëve Vullnetarë “Enver Hoxha” të Rrethit të Gramshit, të indinjuar thellë nga ajo situatë e jashtëzakonshme që po ndodh në Tiranë, u mblodhëm këtu, në qytetin e Gramshit me dëshirat e zemrave e urtësinë e mendjeve tona se ky tensionim po na prish qetësinë, stabilitetin, të sotmen e të ardhmen. Enver Hoxha nuk ju përket vetëm një pjesë të studentëve apo vetëm disa banorëve të Rrethit të Tiranës. Populli i Gramshit e ka njohur Enver Hoxhën në vitet e vështira të luftës nacionalçlirimtare. Ka ndarë me të kafshatën e bukës, e strehoi në netët e vështira të operacionit të dimrit dhe ai me partinë na solli ditët e bardha që po jetojmë sot. Enver Hoxha punoi një jetë të tërë me përkushtim për Shqipërinë dhe roli i tij në vitet e luftës e në zhvillim e atdheut është i madh dhe i padiskutueshëm. Sot nuk është në të mirën e kombit, të unitetit e të demokracisë të diskutojmë me gjakra të nxehura. Objektivitetin e vlerësimit të Enver Hoxhës do ta bëjë koha në të ardhmen, kurse sot, kush prek ndjenjat dhe mendimet e një mase të madhe njerëzish prek ndjenjat dhe mendimet e një mase të madhe njerëzish. Ne jemi të bindur për kontributin e Enver Hoxhës, për të gjitha zhvillimet tona dhe do ta mbrojmë me dashuri dhe mirënjohje gjithçka që ai ka bërë për popullin e Rrethit të Gramshit. Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës na prek dhe na indinjon pa masë, por atë që s’mund ta rrëzosh nga zemrat tona, s’mund ta heqësh nga këngët tona, askush nuk na e heq nga shtëpitë tona. Na duhet punë e uniteti për të punuar për të mirën e atdheut dhe jo greva e përçarje, duhet të bisedojmë për çfarë na bashkon dhe jo për çfarë na ndan. Të gjithëve na bashkon Shqipëria e lirë dhe demokratike, e pavarur e sovrane, e begatë dhe e qetë. Njëzëri kërkojmë që busti i Enver Hoxhës të vendoset në atë shesh, ku mbarë kombi ynë 6 vjet më parë derdhi lot zemre. Ne jemi me ju shoku Ramiz, si qytetarë dhe si ushtarë për të mbrojtur lirinë e atdheut tonë. Kërkojmë gjithashtu që telegrami ynë t’i bëhet i njohur popullit sa më urgjent.
Nga përfaqësuesit e 20 mijë banorëve në takimin e Bashkimit të Veprimtarëve Vullnetarë “Enver Hoxha” të Rrethit të Gramshit.
Gramsh, 21.2.1991