1991/Enveristët e DPB Kukës: Të dënohet populli i Tiranës

Saturday, 23 February 2019 17:47

Nga Kastriot Dervishi

Enveristët e Kukësit ishin mbledhur edhe brenda Degës së Punëve të Brendshme Kukës. Kishin ardhur aty nga lloj-lloj krahine. Ushtarë të partisë dhe revolucionit. Është i vetmi dokument i identifikuar nga degët në fjalë që tregon indoktrinimin e thellës të forcave të punëve të brendshme, të cilët nivelin profesional e kishin nivelin e dytë ose të tretë të formimit të tyre. Së pari ishin enveristë dhe ushtarë të verbër. Ata e quajnë veten të vrarë dhe zemëruar. I japin të drejtë vetes të gjykojnë e të dënojnë. Gjëja më qesharake pastaj është se të shpallurin 3 herë hero kombëtar, hero të popullit e hero të punës socialiste, si dhe hero të popujve të Jugosllavisë, duan ta shpallin për herë të katër hero kombëtar.

“Ata vranë komandantin dhe prijësin tonë historik, por harrojnë se ne ushtarët e tij e kemi në jetë të jetëve komandant, e kemi emrin e tij të shkruar në gjak dhe gjaku i shqiptarit as shitet dhe as tjetërsohet. Ne të gjithë pyesim: përse nuk u mbrojt Enver Hoxha? Kush duhet të urdhërojë për të mbrojtur komandantin? Ne ushtarët e tij jemi betuar njëherë në atë shesh para trupit të tij, atëherë përse lejuam të na i vrasin, përse e shkelëm betimin?”-thuhej ndër të tjera në telegramin e datës 26.2.1991.

Popullin e Tiranës, këta enveristë të verbër e quajnë “bisha të egra”, duke kërkuar dënimin e tyre. Ky është ndër telegramet që përmban nivelin më të lartë të idiotësisë së një tufe njerëzish që adhuronin një kriminel e nuk shihnin së paku tregjet bosh e jetën mizerje që bënte shqiptari.

Login to post comments