Nga Kastriot Dervishi
Gjatë analizës së bërë rreth punës së Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit në MPB (Zbulimit Politik) gjatë vitit 1967, sipas raportit të datës 22.5.1968, i cili i ish dërguar në linjë shtetërore kryeministrit Mehmet Shehu dhe sekretarit të KQ Hysni Kapo, i pari ka shfaqur haptas pakënaqësinë për punë e zbulimit. Shehu kishte vënë disa shënime fletë për fletë, por më kryesori ishte i faqes së parë duke shkruar:
“Unë jam dakord, por gjer më sot, nuk ia kemi parë hairin Zbulimit. Ne nuk dimë akoma se ç’po thuret kundër nesh: në Jugosllavi, në Greqi, në Itali, SHBA (NATO), në BS. Përderisa s’dimë këtë (d.m.th. qëllimet dhe planet e veprimit të armikut kundër nesh), çdo gjë tjetër është një zero e madhe. Kur do ta di unë këtë? Ato që na keni thënë gjer më sot, në përgjithësi i lexojmë në shtypin e armikut çdo ditë, bile edhe më parë se “t’i riformuloni” juve. Ne jemi akoma krejtësisht të pakënaqur nga Zbulimi ynë”.
Kësisoj, Shehu vërente se aftësia zbuluese e Zbulimit ishte zero në drejtimet që mund të kishte një zbulim i një vendi. Por ajo që kishte thënë para kohe Shehu ishte se kjo gjë nuk mund të thuhej kaq hapur. Në të njëjtën praktikë, Hysni Kapo shkruante mbi raport se kishte ngelur i kënaqur nga raporti mbi punën e Zbulimit.
Pasi doli i nxituar në këtë përfundim, duke pasur parasysh rivalitetin e tij me Hysni Kapon, Mehmet Shehu u mundua ta rregullojë disi opinionin e mëparshëm. Për këtë arsye ai thërret Kadri Hazbiun e i thotë se ishte nxituar në formulimin që kishte lënë. Si duket edhe shënimi i Hysni Kapos kishte bërë të vetën. Megjithatë të vërtetën e kishte thënë.