Pjetër Arbnori, dy herë i dënuar, vuajti pa ndërprerje: 28 vjet, 2 muaj e 9 ditë burgim

Diel, 03 Mars 2019 17:49
Fleta e lirimit të Pjetër Arbnorit nga Burgu nr.321 Burrel Fleta e lirimit të Pjetër Arbnorit nga Burgu nr.321 Burrel

Nga Kastriot Dervishi

Është ndër rastet më të njohura të burgimeve të gjata sepse ishte në vitet 1991-2005 deputet i Partisë Demokratike dhe në vitet 1992-1996; 1996-1997, kryetar i Kuvendit Popullor. Pjetër Arbnori (1935-2006) nga Shkodra mbetet ndër figurat më interesante të tranzicionit. Qysh i vogël u rrit jetim sepse komunistët i vranë babanë. Për të ndjekur shkollën, u detyrua të ndryshojë mbiemrin nga Toma në “Arbnori”. Në janar 1958 filloi të japë provimet në degën histori – filologji në Universitetin e Tiranës, duke arritur ta mbarojë këtë shkollë në qershor 1960. Në shtator 1960 filloi punë si mësues i letërsisë në teknikumin bujqësor “Kajo Karafili” në Kavajë. Vazhdoi punë deri në prill 1961 kohë kur u largua nga puna.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

-Vitet 1961-1989: 28 vjet, 2 muaj, 9 ditë

-Mosha në fillim të dënimit: 26 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 54 vjeç

 

Dënimi i parë

Pas pushimit nga puna ishte i pakënaqur edhe më shumë ndaj regjimit. Shoku më i ngushtë i tij ishte Zeqir Koçi, e pas tij vinte Selim Resuli, të cilët përbënin “grupin e Durrësit”. Arbnori u përfshi në një grup që me një aktivitet shumë simbolik (zhvilluan vetëm disa mbledhje midis tyre) synonte krijimin e një partie socialdemokrate.

Anëtarët e grupit të Tiranës: Uran Kalakulla (kryetar), Agim Musta (sekretar), Riza Kuçit, Tanush Kaso dhe Kahreman Paftali në periudhën shtator-dhjetor 1960 bënë disa mbledhje në shtëpi, universitet dhe te parku i Tiranës. Me ndërmjetësinë e Tanush Kasos, vendosën kontakte me grupin e Pjetër Arbnorit në Durrës. Në fund të shkurti 1961 organet e punëve të brendshme morën dijeni për ekzistencën e dy grupeve.

Më 1.5.1961 janë takuar në Durrës: Pjetër Arbnori e Zeqir Koçi nga grupi i Durrësit dhe Uran Kalakulla e Tanush Kaso nga grupi i Tiranës. Takimi i kthimit ishte lënë më 27.5.1961 në Tiranë, por nuk u zhvillua sepse grupi u arrestua.

Grupet e Pjetër Arbnorit dhe Uran Kalakullës u zbuluan rastësisht. U arrestua më 27.5.1961 në Durrës. U dënua së bashku me shtetasit: Uran Kalakulla, Tanush Kaso, Zeqir Koçi, Kahreman Paftali, Riza Kuçi dhe Agim Musta. Me vendimin nr.113, datë 11.8.1962, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për tradhti ndaj atdheut e agjitacion dhe se bashku me Uran Kalakullën e dënoi me vdekje, pushkatim. U la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.121, datë 3.9.1962. Presidiumi i Kuvendit Popullor, i ktheu vendimet me vdekje me 25 vjet burgim .

Ridënimi

Më 30.1.1979, Pjetër Arbnori u arrestua duke vuajtur dënimin në Burgun e Burrelit. U hetua për 4 muaj. Me vendimin nr.37, datë 30.5.1979 Gjykata e Rrethit Mat e deklaroi fajtor për veprën e agjitacionit e propagandës brenda në burg dhe u dënua me 12 vjet të tjera burgim. Gjykata vërente: “Është shprehur se socializmi nuk mund të triumfonte në shkallë botërore, ai mund të vendoset vetëm në vendet e varfra, apo shprehje të tjera se këta (komunistët) janë njerëz të poshtër, pa dinjitet, ndjekin vijën e Stalinit dhe sipas tij politika që ndjek shteti ynë është politikë mashtruese...Në shkrimet e tij, i pandehuri, si një element armik që është ka shprehur tendencën e letërsisë borgjeze revizioniste. Kështu ai personazhit kryesor i shkëput nga problemet aktuale të shoqërisë dhe merret me probleme të parëndësishme në shtetit e ardhshëm, e të tjera”.

Pjetër Arbnori u lirua më 3.8.1989 nga Burgu nr.321 i Burrelit. Vitet e fundit të dënimit, komanda e kishte angazhuar në disa përkthime letrare apo historike.

Login to post comments