Nga Kastriot Dervishi
Ishin dekretuar të zhvilloheshin më 10.2.1991, por u shtunë më 31.3.1991. Dekretin e nxori Presidiumi i Kuvendit Popullor. Zgjedhjet u zhvilluan në kushtet kur organet e shtetit si forcat e armatosura, sistemi i drejtësisë, ishin tërësisht të politizuara dhe punonjësit apo efektivët e tyre anëtarë të Partisë së Punës. Ishin nisur të bëheshin si zgjedhje me shoqatat e organizatat e Partisë së Punës, por me pranimin e pluralizmit, rrethanat e zhvillimit ndryshuan. Morën pjesë në zgjedhje: Partia e Punës (sot Partia Socialiste), Partia Demokratike, Partia Agrare, Partia Republikane, Partia Ekologjike. Nga organizatat: Organizata “Omonia”, Komiteti i Veteranëve, Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, Bashkimi i Gruas, Bashkimi i Rinisë Punës së Shqipërisë. Zgjedhjet u zhvilluan edhe me zona balotazhi. Ishte një fletë votimi. Vlefshmëria e votës nënkuptonte mosfshirjen e një kandidati. Nga Kuvendi Popullor paraardhës i dalë nga zgjedhjet e vitit 1987, ishin zgjedhur vetëm 19 deputetë ose 7.6 % e numrit të përgjithshëm të tyre, të gjithë nga Partia e Punës. Zgjedhjet i dhanë rezultatet:
-Partia e Punës: 169 deputetë ose 67,6%
-Partisë Demokratike: 75 deputetë ose 30 %
-Organizata “Omonia” 5 deputetë ose 2 %
-Komiteti i Veteranëve: 1 deputet ose 0.4 %
Në përfundim të zgjedhjeve, sekretari i KQ të PPSH-së, Xhelil Gjoni, vlerësoi fitoren e forcës së tij politike dhe tha se kjo parti do të merrte nga marksizëm – leninizmi atë që ishte më e mirë.
Kuvendi Popullor përbëhej nga 57 inxhinierë, 62 të profilit bujqësor, 37 mësues e pedagogë, 38 ekonomistë, 20 mjekë dhe 14 juristë e gazetarë. Kryetar u zgjodh Kastriot Islami nga Partia e Punës dhe nënkryetar Lush Përpali (Partia e Punës) dhe Aleksandër Meksi (Partia Demokratike)
Sesioni i parë i Kuvendit Popullor u çel më 15.4.1991. Mbledhja e fundit u zhvillua më 30.1.1992. Sipas marrëveshjes politike të arritur në fund të majit 1991, kjo legjislaturë u shpërnda për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme që u zhvilluan më 22.3.1992.
Funksionuan tre grupe kuvendore të: Partisë së Punës, Partisë Demokratike dhe “Omonias”. Kjo legjislaturë votoi zgjedhjen e Ramiz Alisë president, rrëzoi kushtetutën e vitit 1976, miratoi Dispozitat Kryesore Kushtetuese, miratoi qeveritë e Fatos Nanos, Ylli Bufit dhe Vilson Ahmetit dhe një sërë ligjesh.
Në çfarë kushtesh u zhvilluan këto zgjedhje, e ka pasqyruar fare bukur i mirënjohuri Bujar Kapexhiu me karikaturën bashkëlidhur, botuar në “RD” të atij viti.