Nga Enver MEMISHAJ
Kur i japim lamtumirën një miku.
Teki Gjonzeneli! Po të qajmë me lotë hidhërimi, këtu në atdheun tonë, në pamndësi për të kapërxyer oqeanin për të bërë detyrën siç e pate bërë ti gjith jetën me fisnikëri ndaj miqëve dhe shokëve të shumtë…
U largua në amëshim edhe një tjetër i burgosur politik, u largua nga mesi jonë. Edhe një luftëtar i pa lodhur që ecte në krye të radhëve të luftëtarve të lirisë mbeti pa zë. Një luftëtar kundër dhunës dhe terrorit komunist po e lë bosh vendin e vet që kishte në shoqëri.
Teki Gjonzeneli shkoi më datën 9 të muajt. Atë burrin e pamposhtur nuk do ta kemi më midis nesh, por na ka lënë kujtimet e tij me të cilat mund të flasim dhe të këshillohemi ashtu siç bënim me të ndierin kur ish gjallë.
Gjatë gjith jetës së tij ai njeri nuk diti të heshtëte asnjëherë, pasi nga heshtja jonë përfitojnë të tjerët, ata komunistët, thoshte ai, që e bënë kombin tonë të vuante për afro 50 vjet.
Teki Gjonzeneli na ka lënë, por unë tek i shkruaj këto fjalë ende nuk më besohet se në behar nuk do takoj atë qëndrestarin, optimistin, luftëtarin, punëtorin e pa lodhur për të denoncuar dhe ngritur aktakuzën diktaturës komuniste.
Ky shkrim është një lule e përvuajtur mbi varrin e vlonjatit, një lule sepse edhe ai kur shkonte në vorreza vendoste nga një lule për gjith të dashurit dhe të njohurit e tij. Këtë lule po e vendos unë njeri prej vlonjatëve të shumtë e sidomos skelarëve që ishin miq të Tekiut.
Ai iku e s’kthehet më, por zu vend në historinë e njerëzve të thjeshtë të Vlorës dhe Tragjasit, vendlindjes së tij, dhe sidomos të atyre burrave vlonjatë që kishin besim dhe kanë ende te deviza: “Shqipëria e shqiptarëve”.
Leon Tolstoi thotë me të drejtë se ka vetëm një mënyrë për të qënë i lumtur: të jetosh për të tjerët. I tillë ishte Teki Gjonzeneli, i sakrifikuar jo vetëm për familjen por edhe për miqtë e shokët e shumtë që kishte. Kush trokiti në derën e tij në Vlorë në Tragjas dhe sidomos në SHBA dhe nuk e gjeti derën të hapur dhe bukën të shtruar.
Miq! Ju ftoj ta kujtoni Teki Gjonzenelin ashtu si qe vital, i qeshur, optimist dhe i pa mposhtur ndaj dallgëve të tëbuara të jetës, që e goditen pa mëshirë.
* * *
Ishim mësuar me Teki Gjonzenelin të vinte çdo behar në Vlorë dhe ne mezi e prisnim me bisedat e tij të pa shtershme, me shakatë dhe barsoletat e pa fundme. Edhe këtë behar e prisnim të vinte në Vlorën e tij të dashur, që ishte pjesë e zemrës së tij, por ai nuk do të vi, nuk do të vi asnjë verë tjetër, kaloi pa u ndier në amëshim.
E donte shumë Vlorën sado që këtu kishte vuajtur shumë ai dhe familja e tij e madhe. Dalip Greca që e vizitoi ditët e fundit të jetës së tij shkruan: “Shkuam ta vizitonim së bashku me dhëndrin tim Latif Sharkën - i shtrirë në krevatin pranë dritares, me sytë e ngulur mbi një tablo të bukur të Vlorës, pamje e mrekullueshme e Ujit të Ftohtë, ku duken kodrat, tuneli, deti, gadishulli i Karaburunit e ishulli i Sazanit. Një pamje magjik. Mendoj se atë pamje nga Uji i Ftohte Tekiu e mori me vete”.
Më tutje Dalip Greca vazhdon: “Na iku një mik i mirë që e deshëm dhe na donte pa interes. Ishte njeri që nuk urrente dhe kishte paqe me vete. Nuk ia donte kujt të keqen sepse vetë kishte hequr shumë. Jeta nuk qe bujare me të, jo vetëm pse ai dhe familja kaluan nëpër ferrin e diktaturës por edhe humbja e vajzës, Internës në moshën 33 vjeçare, më 20 shtator 2012, pas gjashtë vitesh lëngim këtu në SHBA. Ishte një goditje e rëndë për atë dhe bashkëshorten, fisniken e shumëvuajtur Finlanda, që babanë, Pertefin, ia pushkatoi diktatura”.
Ai nuk do të vi fizikisht këtë behar, por ndër ne shokët dhe miqtë e tij ai do të jetë prezent me buzëqeshjen e tij që nuk iu shua asnjëherë edhe në çastet më të vështira të jetës së tij, me bisedat e tij të këndëshme gjithnjë duke ju dhënë një ton humori, me barsoletat e tij, që vinte në lojë pushtetarët komunist. Në verën e vitit 2018 kur u ndava me të më tha me keqardheje:
-Nuk do të vi dot më në Vlorë.
Kështu u ndamë me atë mik të dashur, të shtrenjtë dhe të pa harruar, dhe ashtu ndodhi. Në fillim të këtij viti ai kaloi një operacion të rëndë dhe mjekët i thanë se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Refuzoi me trimëri vazhdimin e mjekimit dhe e priti vdekjen me guxim në shtëpinë e Monikës, vajzës së tij të mirë.
U largua në amëshim më 9 prill 2019
Ishte nga ata miqtë e rrallë që kishte lënë gjurmë në jetën time dhe të familjes sime, nga ata miq që nuk mund të harrohen.
Pas emigrimit në Amerikë kur u kthye për herë të parë më takoi dhe me tha:
- Nuk mund ta harroj xha Imerin, babanë tim, që kur Murati, im vëlla, në sallën e gjyqit godi me grusht policin shoqërues, policia mori xha Imerin që u ndodh pranë Muratit, por ai me trimëri refuzoi të thoshte se e kish parë Muratin të godiste me grusht policin e shoqërimit. Edhe nënë Malen, nënën time, - më tha Tekiu, - nuk mund ta harroj, kemi punuar bashkë në Ullishte, kemi shkundur e mbledhur ullinj në acarin e dimrit.
Në kujtim të prindërve të mi ai më solli nga Amerika një aparat tensioni. Kështu që unë sapo ngrihem në mëngjes mas tensionin dhe kujtoj Tekiun e paharruar.
Por kujtimet për atë mik janë të pa fundme. Në mur kam të varur një foto të Teutës gruas sime që ma ka bërë Tekiu, po ashtu edhe një foto tjetër të Deas, mbesës 2 vjeçe.
Kështu si me mua ai burrë ishte bujar e fisnik me të gjith shokët e miqtë e tij të shumtë anë e kënd Shqipërisë, por edhe në Europë dhe Amerikë.
* * *
Miq! Unë do të këroja nga ju që të mos pyesni si vdiq Teki Gjonzeneli por tregoni si rrojti ai. Sepse të gjitha qëniet e gjalla vdesin, por ajo që mbetet pas është jeta e tyre, kujtimet, gjurmët që lënë pas dhe Teki Gjonzenli ka lënë gjurmë të pa shlyeshme, fëmijëve, bashkëshortes që e donte dhe e respektone shumë, vëllezërve, të afërmve, ne miqëve dhe shoqërisë.
Teki Gjonzeneli ishte nga ata burra që nuk mposhten e nuk u munden kurrë. Atë burrë e hidhje në det e dilte në stere, nuk mbytej e nuk fundosej sado të ashpëra e të stuhishte të ishin dallgët e jetës që e goditën pa mëshirë dhe pa e meritur.
Ishte trumfator në sistemin mizor të hurit në të cilin shkoi jetën e tij. Triumfator dhe luftëtar në kuptimin e plotë të kësaj fjale. E ku nuk e hodhën dallgët e luftës së klasave: me burgimin e rëndë të babait, me arratisjen e vëllait Qamilit, me burgimin e Memishahut, vëllait, në moshën 16 vjeçare, me burgimin e vëllait tjetër Muratit për 18 vjet dhe së fundi me burgimin e tij dhe me internimin e familjes përjetësisht.
Sikur të mos mjaftonin këto në Amerikë i vdiq vajza Intera në moshën e re 33 vjeçare dhe gruaja Finlanda iu sëmur nga parkisoni, por tek ai njeri nuk u shua asnjëherë optimizmi dhe buzëqeshja. Vajtëm t’i ipnim kurajo, thotë Dalip Greca, por ai na dha kurajo neve.
Të katër vëllezërit kishin lindur luftëtarë, kishin lindur për të jetuar të lirë, nuk u nënshtruan kurrë. Kishin lindur të qëndronin më lart se shokët e sërës së tyre dhe ashtu jetuan truimfator kudo: Qamili u hodh në det dhe me not doli në Korfuz, Tekiu, Memishau dhe Murati nuk u trembën por denoncun në atë kohë terrorin dhe diktaturën komuniste e për këtë edhe u burgosën.
Pas burgimeve vinin internimet dhe pas internimeve vendosja në punët më të rënda si punëtor krahu. Por Tekiu triumfonte kudo, e hidhje në det dhe dilte në stere. Së fundi e internuan në Tragjas në punët më të rënda bujqësore, por kishte difekt mulliri blojes dhe atë e rregullonte Tekiu, donte të vadiste misërin që po thahej Tekiu preu lumin dhe ia ktheu arave me misër, fshati mbetej pa drita në stuhitë që s’dilte njeri nga shtëpia dhe Tekiu shkonte dhe i sillte fshatit të tij dritat e kështu Tekiu jo vetëm që i mundi komunistët e fshatit që e urrenin si armik të klasës, por u bë një njeri me rëndësi në fshat për të cilin kishin nevoj të gjith.
Në kushtet e mjerushme të fshatit ai për tre vjet ndërtoi një shtëpi të bukur në formën e ndërtesës së Pentagonit të Amerikës. Në kushtet e mjerimit ekonomik ai njeri vuri bletë dhe kur fshati vuante fëmijët e tij shijonin mjaltin.
Në burgje, në vuajtje dhe mjerim fytyra e Tekiut qeshte gjithmonë i kishte ngrirë buzëqeshja në fytyrë si për të provuar atë thënien e Russoit se një fytyrë që nuk qesh nuk është kurrë e mirë.
Ne shokët e miqëtë e tij do jetojmë me humorin e tij, me shakatë e tij, me barsoletat e tij, me anekdodat e tij të pa fundme. Ishte i talentuar për të të mbajtur me biseda të këndëshme. Kishte një aftësi të dallueshme aktrimi sa që ne pyesnin njeri tjetrin në verë: Ka ardhur Tekiu? Kur do të vi?
I kishte të pa fundme barsoletat dhe anekdodat. Kam jetur dy jetë thoshte Tekiu: Nga diktatura në demokraci: nga koha e hurit në atë të polemikës…
Kur binte fjala për emigrimin në Amerikë ai thosh: na zuri mallkimi nënës se kur nxehej me ne na thosh:
-Vafshi pas diellit, haku hiqmet, ne të gjith vamë në Amerikë, pas diellit.
Po udhëtoja me një autobus, thoshte ai, dhe fqinji im filloi të më pyeste aq shumë sa në fund i thash: Zotri! E kam bërë hetuesinë në kohën e Enverit!
E pyeta në telefon për Muratin, të vëllan. Sapo bisedova me të, - më tha Tekiu, - Murati pa më pyetur filloi të më tregonte një ndodhi nga burgu i Burrelit dhe unë i thash: Dil nga burgu!
Bisedën e fundit me të e bëra më 20 mars 2019. I dhash kurajo dhe i thash se ke fituar kaq beteja, do ta fitosh edhe këtë. Ai dhe ne ato momente nuk e humbni humorin dhe me sarkazmen më tha: Aha Enver sëmundja qenka me e keqe se komunizmi.
* * *
Tekiu shquante ndër ne shokët e tij nga bujaria dhe fisnikëria. Me shpenzimet e tij ai botoi dhe e ribotoi dy herë librin “Vëllai i pengut”, kujtime të Reshat Agajt, xhaxhai i Finlandës, shkruar në Amerikë dhe e propagandoi atë libër gjerësisht.
Ishte tifoz sporti dhe mik i sportistëve vlonjatë i Kreshnik Çipit, Koto Ziles, Vasil Rucit, trajnerit Bejkush Birçe etj. Po kë nuk kishte mik Tekiu? Ai të bënte mik me pahir, sepse ishte i kudo ndodhur në të mirë dhe në të keqe.
Vëllezërit Gjonzeneli ishin nga ata personazhe që njiheshin në të gjith Vlorën, por mbi ta dallonte Tekiu. Ishte njeri bujar nuk kursehej për mikun dhe shokun, bujari që e tregoi edhe në momentet e fundit të jetës së tij duke dhuruar bibliotekën e tij Federatës “Vatra”.
Në shtëpinë e tij në Tragjas kishin provuar të gjith mjaltin e bletëve të tij dhe jo vetëm miqtë por edhe udhëtrët ai kthente në shtëpi dhe u vinte përpara tasin me mjaltë.
Mjalti bletëve të tij ishte provuar nga shumë njerës që nga Vlora në Tiranë, por kishte mbritur edhe në Korçë e Elbasan ku Tekiu kishte shokë e miq të shumtë.
Më 9 prill të këtij viti Tekiu shkoi pran nënës dhe babait të shumëvuajtur, Interës, Sutës, Marikes Koços, dhe Ambletit. Jeta e kishte lodhur shumë, ndofta atje gjen prehje.
Ai u nda nga jeta në prag te ditelindjes, kishte lindur më 25 prill 1937. Zoteri i vërtetë plot humor e buzagaz, sportdashës dhe artëdashes, do na mungosh. Ngushellime Didit, gruas së tij, Monikes vajzes, Fatmirit djalit, mbeses Anxhela dhe nipit Sebastian. Ngushëllime vëllezërve Memishahut dhe Muratit. Shpiti i tij u prefte ne Paqe.
“Kami humbur një mik, një shok, një vëlla, një njeri që na ka bërë të jemi të fortë në ditë të vështira. Të qoftë dheu i lehtë Teki Gjonzeneli! Na dhe një shembull të rrallë sesi njeriu edhe në kushte çnjerëzore të diktaturës mund të jetë dinjitoz e të respektohet nga të gjithë. Teki: E gjithë Skela qan për ty! Edhe valët e detit edhe pemët edhe lulet edhe gurët e rrugicave ku u linde e u rrite. I veshtirë do të jetë ky behar pa ty...”, shkruan miku jonë Gezim Zilja.
Më tutje Viron Troqe shton se: “ Tekiu do të kujtohet jo vetëm nga të tijët por dhe nga shumë shokë e miq në Vlorë e në të gjith Shqipërinë, në Europë dhe në Amerikë”.
Duke përkujtuar martirin e Vlorës Teki Gjonzenelin i lutem Zotit me vargjet e Patër Gjergj Fishtës, kushtuar dëshmorëve të Vraninës:
Leht u kjoftë rnbi vorr ledina,
butë u kjofshin moti e stina,
akulli, bora e serotina.
///O///