Nga Kastriot Dervishi
Është ndër rastet e rralla të historisë së Shqipërisë, që një kushtetutë (në atë kohë quhej statut) rrëzohej dy herë, njëherë nga fashistët e një herë tjetër nga komunistët.
12 prill 1939
U mblodh e organizuar nga pushtuesit fashistë, pas 7 prillit 1939, një e ashtuquajtur asamble, me shumë deputetë të emëruar dhe ndonjë ekzistues. Vendimet kryesore:
1-Rrëzohet regjimi, kushtetuta e 1928-s, abrogohet.
2-Krijohet qeveri e re nga asambleja.
3-Asambleja falënderon Duçen dhe bëhet fjalë për një marrëveshje të re.
4-Viktor Emanuelit III i Mbret të Italisë dhe Perandor i Etiopisë i ofrohet kurora në formën e një bashkimi persona midis dy vendeve.
Nuk u vu re prani italiane në ceremoninë e votimit, sipas porosive që ishin dhënë.
22 tetor 1943
Kuvendi Kombëtar, përfaqësia më e madhe legjislative në historinë e Shqipërisë, e zgjedhur nga këshillat e vjetra bashkiakë, miratoi:
1-Shfuqizimin e vendimeve të Asamblesë së 12 prillit 1939.
2-Abrogimin e të gjitha ligjeve që binin në kundërshtim me vendimin e 22 tetorit 1943.
3-Zgjedhjen e regjencës.
4-Rifuqizimin e Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të vitit 1928.
11 janar 1946
Pas vendosjes së plotë të pushtetit të tyre, pas dhunës më shumë se njëvjeçare, komunistët organizuan zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, në të cilat konkurruan të vetëm. Edhe këta rrëzuan për herë të dytë kushtetutën e vitit 1928.
Vendimi i Asamblesë përbëhej nga dy pika kryesore. E para sanksiononte formën e re të regjimit dhe e dyta shpallte se hiqej “përgjithmonë monarkia, Mbreti Zog dhe trashëgimtarët e tij, të cilëve iu ndalohej hyrja në Shqipëri përgjithmonë”.
Edhe këtu nuk u panë jugosllavë të pranishëm.