Nga Kastriot Dervishi
Një letër e gjatë e datës 1 tetor 1943, letër e Enver Hoxhës (“Shpati”) për Liri Gegën (“Muzhiku) dhe për veprim gjithë komiteteve qarkore të partisë, zbulon fare qartë se qëllimi i vetëm i Enver Hoxhës është pushteti dhe vrasja e mbytja e çdo rryme tjetër. lexoni këto urdhra, shihni çfarë urrejtje ka, analizoni qëndrimin mbi Ballin Kombëtar, partitë e tjera, një trakt të Partisë Nacional Zogiste, etj. Nuk ka asnjë fakt për ndonjë bashkëpunim me pushtuesin të forcave të tjera, por ka vetëm dëshirë për të vrarë e marrë pushtetin për komunizmin.
***
Ekstrakt nga letra
I dashur “Muzhik”!....Në radhë të parë na paraqitet çështja e pushtetit, dua të them vendosja kudo e këshillave nacionalçlirimtare, forcimi i tyre dhe mbrojtja e tyre nga çdo tentativë e Ballit ose e ndonjë partie tjetër që do të përpiqet t’i sabotojë ose t’i luftojë haptazi. Për këtë punë nuk duhet të ketë vetëm dy kuptime: pushteti i këshillave duhet të ekzistojë dhe asnjë pushtet tjetër, nuk ka kompromis dhe dualitet në këtë gjë. Për këtë shkak duhet të jemi të zgjuar dhe jo të flemë e të lëmë që të hyjë Balli në ndonjë vend, të bëjë ligjin e të vetëvendosi dhe ne të lidhim duart e të kënaqemi me një luftë politike. Në këtë kohë që forcat tona që në shumë raste janë më të shumta se ato të Ballit, presin me duar lidhur që demaskimi i Ballit të bëhet komplet dhe pastaj të shohin a mund të veprojnë.
Këtë e them që veprimet e ndryshme që kanë bërë shokët në krahina, të na shërbejnë si mësime. P.sh. në Gjirokastër, ballistët hynë të parët në qytet me 600 bashibozukë dhe Ali bej Këlcyra, Bahri Omari dhe Koço Muka kanë marrë frenat dhe po shesin mend në Gjirokastër. Shokët tanë hynë me vonesë në qytet, me 1500 veta thonë dhe në vend që t’i spastrojmë ata plehra që andej, po kënaqen me një luftë politike kundrejt tyre dhe gjatë kësaj kohe Balli vazhdon punën e tij. puna politike kundër Ballit, nuk duhet të jetë e vetme në këto raste, ajo duhet të ndihmojë veprimet ushtarake të cilat duhet të jenë decizive; nuk mjaftojnë mitingje dhe konferenca, por duhet menjëherë të merret pushteti, të organizohen komandant dhe të stabilizohet pushteti i këshillave duke mbajtur disiplinën, rregullin, duke organizuar jetën në qytet dhe duke luftuar me ashpërsinë më të madhe dhe me pushkë në dorë të gjithë padrejtësitë dhe vjedhjet që i bëhen popullit nga kushdo që të jetë. Nuk duhet të qëndrojmë spektatorë përpara poshtërisë të Ballit dhe të presim që këto gjeste Balli të demaskohet. Ne duhet të ndërhyjmë dhe t’i godasim pa mëshirë. Asnjë hezitim kur është puna për të mbrojtur popullin. Ndryshe ne e kemi të humbur në qoftë se veprojmë me zemra prej murgeshe.
Balli nuk ta liron pushtetin dhe askush tjetër në qoftë se nuk e rrëmben me forcë, pse është e drejta tënde dhe e popullit. Në Berat ngjet gjithashtu po ky avaz: nga një anë pushteti i Ballit dhe nga një anë pushteti ynë dhe ndërmjet të dyve, xhandarmëria e vjetër mban qetësinë. Për Ballin të gjithë raportet që na vijnë nga shokët tanë s’kanë të tjera terma përveç këto: “Balli s’qenka gjë, ai demaskohet, ai bën gabime, ai udhëhiqet pre reaksionarëve, populli e urren”, etj. për këshillat kudo në radhë të parë, të forta, të organizuara, po mjerisht Balli Kombëtar dhe në Berat është shtruar dhe po nxjerr e pret si një pushtet në vete....
Prandaj i dashur Muzhik këtë gjë t’ua u futish mirë në kokë shokëve se përpara Ballit dhe të tjerë kompromisaxhinj s’ka dobësira, rruga është e qartë dhe pa kthesa. Kthesa ka vetëm me ata që të gënjyer pranojnë vijën tonë por me të tjerët ka plumba kresë. Në lidhje me këtë duhet ta dini se sot është momentimë shumë se kurrë që elementet e poshtër të qërohen, të qërohen pa mëshirë ata armiqtë të popullit që kanësabotuar luftën, që janë veglat e okupatorit që luftojnë komunizmin dhe partinë tonë; të mos merreni me krymbat e vegjël por me ata që kanë lojtar fille e poshtërsive. Çështja e Ballit Kombëtar duhet të merret me seriozitetin më të madh dhe para së gjithash, për të luftuar armikun më së miri duhet të njohësh forcat e tij, forcat reale dhe jo në tym. Për fat të keq, shokët tanë, ende i bëjnë hesapet kaluar. Mbasandaj kur vjen puna në gllur, si themi ne andej, ata fillojnë të flasin me precarte. Mbaroi çështja e bashkimit me Ballin, s’jemi më në atë periudhë; tash Balli duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare që bën lojën e okupatorit dhe njëkohësisht të demaskohen sistematikisht gjithë krerët e tij dhe sidomos ata të krahinë suaj...
Çështja e një trakti që ka hedhur Partia Nacional Zogiste...Ky trakt vjen kur reaksioni po grumbullonte gjithë forcat e tij me Ballin Kombëtar për të na luftuar më mirë neve dhe lëvizjen nacionalçlirimtare...Pra këshilloheni të vazhdoni demaskimin e Ballit dhe njëkohësisht me i rënë kokës kësaj Partie Zogiste...
Shpati