Organizata e “veteranëve”, një ent demode sovjetik propagande, vatër persekutorësh komunistë

E Enjte, 19 September 2019 17:12
Dokumenti mbi thirrjen e mbledhjes së parë të organizatës Dokumenti mbi thirrjen e mbledhjes së parë të organizatës

Nga Kastriot Dervishi

Kryetari i grupit kuvendor të Partisë Socialiste, taulant balla, me shkresën e datës 24.4.2019, të bërë publike tashmë, i kërkoi presidentit të republikës të dekorojë organizatën e veteranëve me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin “për mbrojtjen e vlerave antifashiste dhe edukimin e brezave të rinj”, me rastin e 62-vjetorit të krijimit të saj. Le ta kujtojmë pak historinë e organizatës. Modeli i krijimit të kësaj organizate ishte ai sovjetik. Jo më kot, anëtarë të saj dekorohen edhe nga president rus Putin, apo përshëndetën nga ambasadorët e Rusisë në Tiranë. Në fakt, data që këta kujtojnë themelimin ka të bëjë me thirrjen e konferencës. Pra propozuesi respekton së pari data e forumeve të Partisë së Punës. 

Me vendimin nr.130, datë 23.4.1957, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës vendosi thirrjen në korrik të atij viti të konferencës së përgjithshme të veteranëve, për nisjen e jetës së organizatës. Bashkëlidhur vendit u soll statusi i organizatës të veteranëve sovjetikë të luftës, në nenin 1 të së cilës thuhej se qëllimi i formimit ishte “zhvillimi i ekonomisë popullore”, puna edukuese me frymën e “patriotizmit sovjetik”. Partia porositi në mbledhjen përkatëse që përveç “veteranëve” në organizatë të marrë pjesë edhe “ndonjë shok i Bajram Currit apo Haxhi Qamilit”. Në relacionin e vitit 1957 thuhet:

“Krijimi i organizatës së veteranëve të luftës së popullit tonë, do të ndihmojë në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të veteranëve të luftës me partinë dhe qeverinë, do të ndihmojë forcimin e ekonomisë sonë popullore, në rritjen e gatishmërisë dhe të vigjilencës për mbrojtjen e fitoreve të arritura nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm të vendit tonë”.

Organizata nuk do mbahej me kuota, por nga orët e tepërta të punëtorëve ose shfaqjet e ndryshme artistike. Në krye të saj u vunë përgjithësisht nomenklaturë e lartë e regjimit, ish persekutorë e njerëz përgjegjës për krime gjatë luftës dhe pas saj.

Edhe në vitet e pluralizmit, organizata e veteranëve ka qenë strofull e persekutorëve komunistë, duke vepruar si partia komuniste në ilegalitet, e palëkundur në këto drejtime:

-Mbrojtjen e figurave të krimit e terrorit si Enver Hoxha

-Mbajtja ndezur e përçarjes krahinore

-Zhvillimin e luftës së klasave

-Rusofilinë e skajshme

Po të lexosh gazetën e tyre, pothuaj nuk do gjesh asgjë nga lufta me okupatorin, por vetëm sulme mbi jokomunistët që quhen “reaksionarë”. Mbi 95% e artikujve janë kundër shqiptarëve të shkolluar jokomunistë. Po ashtu nuk shkruhet asgjë për drejtuesit komunistë të luftës Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Koha provoi se veteranët nuk shterojnë kurrë. (Po të ishin të tillë duhej të ishin mbi 100 vjeç) Ata janë partia komuniste që kërkon financa dhe enverizëm. Jo më kot, drejtuesit e sotëm janë hetues e ushtarakë që nuk kanë parë pushtues me sy (lufta është gjë e madhe).

Modifikuar më E Enjte, 19 September 2019 17:13
Login to post comments