Nga Kastriot Dervishi
Muço Lamçe Bazaj lindur më 1939 në Gorisht të Vlorës, hyn te grupi i të dënuarve që ka vuajtur gati 28 vjet burgim. Dënimet i nisi dënimet në vitin 1962 në moshën 23 vjeçare dhe i vijoi për një kohë të gjatë ato. Kërkoi perëndimin, por vuajti dhe i iku gjithë rinia në kampe e burgje. Gjithë kjo histori nis në verën e vitit 1962, teksa një anije holandeze është gjendur në portin e Vlorës. I riu vlonjat guxoi, por u diktua nga rojet e kufirit në metrat e fundit të notit. Humbi gjithë rininë, gjithë vitet më të bukura të jetës në kampet dhe burgjet e diktaturës.
-Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:
1962-1990: 27 vjet, 10 muaj, 7 ditë
-Mosha në fillim të dënimit: 23 vjeç
-Mosha në mbarim të dënimit:51 vjeç
Dënimi i parë
Duke qenë i ri, nga prania e një vapori holandez në portin e Vlorës, ai u orvat të arratisej. U arrestua më 23.8.1962 në përpjekje për arratisje. Ngjarja raportohet në komunikatën nr.193, datë 25.8.1962. Në përpjekje me not, ai u kap nga rojet e kufirit. Fatale kjo. Gjithë jeta do i shkonte ters. Gjykata Ushtarake Gjirokastër me veprim në Vlorë, me vendimin nr.52, datë 14.11.1962 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim e konfiskimin e pasurisë.
Ridënimi në Spaç dhe Burrel
U arrestua në Spaç më 15.4.1972, kur ishte duke vuajtur dënimin. Në arsyetimin e dënimin thuhej se kishte “folur haptas kundër pushtetit popullor”, “kundër sistemit politik”, se liri kishte në vendet e perëndimit, se nuk lejohej krijimi i partive të reja, etj. nuk pranoi të flasë gjatë këtij hetimi. Me vendimin nr.29, datë 19.6.1972, Gjykata e Rrethi Mat, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 73 të Kodit Penal dhe e dënoi me 12 vjet burgim.
Pas këtij dënimi u çua për të vuajtur dënimin në Burgun e Burrelit. Edhe këtu u arrestua më 9.8.1977. Akuzohej se kishte përmendur e kritikuar Enver Hoxhën gjatë shëtitjeve të caktuara brenda burgut. Këto i kish dëgjuar ushtari roje dhe i kish denoncuar. Gjykatës së Rrethit Mat me vendimin nr.65, datë 20.8.1977, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 73 të Kodit Penal dhe e dënoi me 25 vjet burgim.
U lirua më 30.8.1990.