Nga Kastriot Dervishi
Në vitin 1992 kufoma e Enver Hoxhës dhe eshtrat që i takonin personave të tjerë, u hoqën nga varrezat e dëshmorëve të kombit. Në atë kohë, dolën dy akte, një vendim qeverie dhe vendim i presidentit. Nga varrezat e dëshmorëve u hoqën personat që nuk ishin vrarë në luftë. Konkretisht aktet. Në listat shoqëruese, dallohen këto akte.
1-Me vendimin nr.135, datë 28.4.1992, Këshilli i Ministrave vendosi heqjen e eshtrave të personave jodëshmorë nga varrezat e dëshmorëve të atdheut, të vendosura aty në kundërshtim me udhëzimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr.737, datë 18.10.1969 “Për dëshmorët e atdheut dhe varrezat e tyre”. Ngarkohej për zbatimin e vendimit Ministria e Ndërtimit, Strehimit e Rregullimeve Publike, si dhe Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit Tiranë.
2-Me vendimin nr.28, datë 1.5.1992, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me propozim të Këshillit të Ministrave, vendosi heqjen e eshtrave të personave jodëshmorë nga varrezat e dëshmorëve të atdheut, të vendosura në to me vendime të Presidiumit të Kuvendit Popullor apo me vendime të përbashkëta të Presidiumit të Kuvendit Popullor e të Këshillit të Ministrave. Vendimi përmend aktet e mëparshme, por jo emra. Ato gjenden në një shkresë tjetër. Për Alqi Kondin dhe Nako Spirun nuk disponoheshin të dhëna.
I-Vendime të Presidiumit të Kuvendit Popullor
1-Todo Manço, nr.219, datë 7.11.1974
2-Kahreman Ylli, nr.233, datë 4.9.1975
3-Hysni Kapo, nr.248, datë 24.9.1979
4-Spiro Moisiu, nr.266, datë 13.4.1981
II-Vendime të përbashkëta të Presidiumit të Kuvendit Popullor e Këshillit të Ministrave
1-Josif Pashko, datë 6.9.1963
2-Medar Shtylla, datë 20.12.1963
III-Me vendime të komisioneve të varrimit
1-Gogo Nushi, datë 9.4.1970
2-Enver Hoxha, datë 11.4.1985