Nga Thanas L. GJIKA
Të arrish të nëntëdhjetat aktiv si Lek Preng Pervizi, është një bekim nga Zoti, një mrekulli, një rast i rrallë në jetën njerëzore, jo vetëm të shqiptarëve. Ai ka jetuar në tre shtete të ndryshme: Shqipëri, Itali dhe Belgjikë ku ka përjetuar të mirat dhe të këqijat e katër sistemeve shoqërore: të Sistemit Monarkist, të Sistemit Nazifashist, të Sistemit të Diktaturës Komuniste dhe të Sistemit të Shoqërisë së Lirë të ekonomisë së tregut. Gjithnjë dhe kudo ka jetuar e jeton si shqiptar bir shqiptari, që ia ka kushtuar jetën me nder e guxim Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Jeta është një proces që ka një fillim dhe një fund, por lum ata që e jetojnë atë si e ka jetuar dhe e jeton Lek Pervizi. Ky burrë është një shembull i trimave legjendarë, të cilët me bëmat e tyre kthehen që në gjallje në “Hero i pavdekshëm”. Ata e meritojnë këtë titull të lartë, që ua jep populli e jo institucionet qeveritare, sepse ata janë shembull për mosnënshtrimin ndaj së keqes, për durimin e vuajtjeve fizike e shpirtërore, për talentin e shumanshëm, energjitë e pashtershme të vëna në shërbim të popullit të cilit i përkasin dhe për moralin e pastër në të gjitha rrethanat. Të tillë heronj i ka të rrallë jo vetëm bota shqiptare, por çdo popull i botës.
Kush nga ne nuk e ka zili, në kuptimin e mirë të fjalës Lek Pervizin, për jetën dhe arritjet e tij madhore:
1-Si familje dhe njeri i panënshtrueshëm ndaj përndjekjeve të diktaturës. Familja e Gjeneral Prengë Pervizit më 1944 përbëhej nga shtatë persona: ai vetë, nëna dhe bashkëshortja e tij dhe tre djemtë: Valentini me nusen, Genci dhe Leka. Diktatura komuniste u përpoq ta zhbënte këtë falje elitare: Gjeneralin e dënoi me vdekje si armik të popullit, pa bërë asnjë krim a tradhti. Për këtë shkak ai u detyrua të arratisej më 1946 në Greqi ku vijoi aktivitetin kundër diktaturës komuniste e vdiq në Bruksel më 1977 pas 31 vjet mërgimi. Valentinin më 1945 e arrestoi dhe burgosi pa asnjë shkak, kurse nusen e tij e dëboi në Itali. Valentini bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes përjetuan 456 vjet burgime dhe internime. Gjatë këtij kalvari humbën jetën tre pjesëtarë të kësaj familjeje, gjyshja Mrika vdiq më 1950 në kampin e Tepelenës 90-vjeçare; nënë Ana vdiq më 1977 e internuar në Pluk të Lushnjës 77-vjeçare; dhe djali i dytë Genci vdiq më 1989 i internuar në Gradishtë 63-vjeçar. Pavarësisht nga vuajtjet, mungesat dhe presionet, gjatë kësaj jete të vështirë, djemtë e Gjeneral Pervizit, nuset dhe fëmijët e tyre e ruajtën moralin dhe karakterin e pastër të shqiptarit të vërtetë.
2-Si familje dhe njeri që dolën fitimtarë ndaj kalvarit komunist. Regjimi komunist burgosi e internoi pesë pjesëtarë të familjes Pervizi me qëllim që t'i zhdukte, por kur ai regjim kapitulloi, Pervizët dolën nga kampet e internimit të trefishuar me 14 pjesëtarë, edhe pse në kampet e internimit humbën jetën tre pjesëtarë të rritur e një foshnjë, kurse gjeneral Pervizi ishte shuar në mërgim. Leka me zonjën Gjyljana dhe tre djemtë e tyre shkuan në Belgjikë më 1990. Bashkëshortja e Gencit, zonja Albina, me katër djem dhe dy vajza shkuan në Amerikë më 1991. Ndërsa vëllai i madh, Valentini, pas 47 vjet burgimi e internimi, pra ky i dënuar i përjetshëm, shkoi në Bolonjë të Italisë, ku e priste zonja Gorizia Manini, bashkëshortja, Penelopi e kohës sonë, me të cilën u bashkua më 1991. Ai vdiq më 1999 dhe e shoqja më 2004, pa lenë fëmijë.
3-Si analist dhe gazetar i talentuar. Leka pa kryer ndonjë shkollë gazetarie ka shkëlqyer e shkëlqen si gazetar i shtypit të lirë. Ai ka sistemuar dhe publikuar deri sot 138 numra të revistës internetike KUQ E ZI, shoqëruar secili me nga një kryeartikull personal. Kjo punë arrin në 9.000 faqe, volum pune që nuk ka mundur ta realizojë asnjë gazetar i shtypit shqiptar që nga Rilindja deri sot. Dhe mos harrojmë, është punë vullnetare pa pagesë që buron nga pasioni dhe atdhedashuria. Revista shpërndahet në PDF, pa asnjë angazhim, dhe autori nuk ka vënë copyright, duke lejuar përdorimin e materialeve të saj, pa kufizim.
4-Si piktor realist. Leka, ky piktor I kampeve të internimit, ka pasqyruar jetën e bashkëvuajtësve në ato kampe dhe ka krijuar tablonë kompozicionale “Beteja e Fushëkuqes” me temë nga luftërat e popullit tonë nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo krijimtari artistike ka buruar jo thjesht nga pasioni por edhe nga talenti. Talent, i cili është trashëguar e ngritur në nivele edhe më të larta prej djalit të tij Leonard, tashmë i afirmuar e fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.
5-Si enciklopedist. Leka zotëron njohuri të gjera në fushat e kulturës, artit dhe të shkencave historike e politike. Formimi i tij enciklopedik bie në sy në shkrimet dhe ilustrimet e çdo numri të revistës, në krijimtarinë e tij letrare dhe si përkthyes i veprave historike të Dhimitër Frëngut Dhimitër Frangu, Veprat e lavdishme të Skënderbeut (2004), të Paulo Jovios Skënderbeu dhe sulltanët e Turqisë (2011) dhe të Eduard Schneider Pellazgët dhe pasardhësit e tyre (2008), shoqëruar me shënime shkencore.
6-Si studiues dhe biograf i jetës dhe veprës së atit dhe i gjyshit të tij. Jeta e pararendësve të Lekës është bërë objekt i veprave Gjeneral Preng Pervizi në shtypin shqiptar dhe Gjin Pjetër Pervizi, luftëtar i shquar i Rilindjes Kombëtare. Këtu shtojmë dhe dy botime të fundit, Gjenrali, kushtuar të atit shoqëruar me një vështrim realist mbi historinë shqiptare, vepër e dobishme për historianë e studiues; dhe, 100 vjet histori (2018) në tre pjesë, kushtuar familjes si galeri fotografike.
7-Si poet e rapsod, ku shpaloset aspekti letrar i talentit të tij. Përveç botimit të poezive në faqet e revistës, ai i ka botuar poezitë dhe rapsoditë e tij dhe në vëllime më vete si Ankimi i Zanave (2000), Gjurmë të humbura (2010), Lahutari shqiptar (2010), Lahutari këndon (2011), Petale de Rose shqip e frëngjisht (2010, 2011), Psherëtimë e erës (2011), Tingëllima të vona (2014), Labirinte (2014), Antologji në vargje (2017) dhe Lahutari Shqiptar (2018). Si krijues skicash e tregimesh të cilat i përmblodhi në vëllimin Në vorbullën e skëterrës (2014), përkthyer e botuar dhe frëngjisht Dans les Cercles de l' Enfer (2014).
8-Si autor memuaresh, ku Leka ka përmbledhur kujtimet nga jeta e vëllait Valentin Pervizi ndërtuar në formë romani biografik me titull Odiseja e pafajësisë (2018) dhe kujtimet e veta lidhur me jetën e familjes së tij të ngushtë Trilogjia e një jete: Lumturia – Ferri – Parajsa, që pret të botohet.
9-Si i shpronësuar e i pashpërblyer. Familja e Lek Pervizit, si dhe familjet e vëllezërve të tij, u shpronësuan më 1945-1946 dhe ndonëse kanë fituar të drejtën e shpërblimit për pronat dhe vitet e burgut e të internimit, ato nuk janë shpërblyer ende as për pronat e patundshme, toka e shtëpi, dhe as për vitet e burgut dhe punën në internim.
Ky i përvojtur i madh, personalitet shumëdimensional i gazetarisë, artit, letërsisë, shkencës dhe kulturës sonë, ua vret sytë dhe i bën me turp pushtetarët dhe kalemxhinjtë e Tiranës, të cilët shquhen për vjedhje, korrupsion e jetë qejfi, gjëra të urryera për Lekën. Pikërisht për këtë ndryshim të thellë që ka ky bir i shquar i popullit tonë me pushtetarët e Tiranës, i shtyn këta që ta mbajnë sa më larg dhe të mos e vlerësojnë jetën dhe veprën e tij. Por shpresojmë që shpejt kjo gjendje të ndryshojë. Njerëz të talentuar e të përkushtuar me vlera të shquara si Lek Pervizi, duhet t'u botohet vepra, qoftë dhe e zgjedhur dhe t'u studiohet sa më parë jeta plot sakrifica dhe arritje. Të tillë Heronj duhet të zenë vendin e merituar në historinë tonë moderne, në faqet e FESH-it dhe në tekstet mësimore.
Jeta dhe vepra e Lek Pervizit duhet të studiohet dhe botohet, sepse prej tyre populli ynë i abuzuar ka për të mësuar shumë të vërteta historike lidhur me jetën e veprën e tij dhe të shumë personaliteteve të shkelmitur prej pushtetarëve dhe kalemxhinjve të diktaturës komuniste.