Nga Kastriot Dervishi
Më 25.6.1989 u kapën në orvatje për t’u arratisur në sektorin Kërçisht të rrethit Dibër, Sinan Fadil Hoxha (sot këngëtar i njohur) dhe Flamur Bedri Çakmashi, banues të lagjes nr.10 të Tiranës. Njoftimi zyrtar i rrit moshën të dyve, nga 14 në 15-vjeçarë. Të dy i përkisnin vitlindjes 1975. Sipas njoftimit, ata ishin nisur me makinë nga Tirana deri në Bulqizë. Me autobusin e punëtorëve Bulqizë-Maqellarë udhëtojnë në këtë fshat. U shmangen vështrimit të banorëve të fshatit Kërçisht dhe afrohen deri 40 metra klonit. Rreth orës 18.30 i spikat fshatar Faiku që kulloste delet dhe djali i tij Gëzimi, të cilët lajmërojnë menjëherë forcat e kufirit. Pas u thonë këtyre se gjoja ishin nga Bulqiza e po mblidhnin lule, dy të rinjtë largohen në thellësi, por njëri kapet në Kërçishtin e poshtëm e tjetri në fshatin Melan pasi kishte shfrytëzuar një automjet aty.
Pushkatari Hajri kap rreth orës 20.00, Flamurin, ndërsa operativi i Melanit kap rreth orës 21.00 Sinan Hoxhën. Në raportin përkatës të kësaj ngjarjeje për arsyet e arratisjes:
“Të ndikuar e të nxitur nga propaganda borgjeze, duke ndjekur televizionin e radion në stacioneve e huaja, u lindi ideja për t’u arratisur në Jugosllavi, duke u gënjyer se “atje jetohet mirë”, “ka vetura e motoçikleta me bollëk”, “do të bredhim nga të duam” “do bëjmë si të duam”, etj. 14-vjeçarët nuk u dënuan me gjyq për të rriturit, por me gjyqe lagjeve apo shkolle në formën e demaskimit.