Nga Kastriot Dervishi
Pavarësisht se nuk prodhoi asgjë, 16 shtatori 1942 u caktua si festë zyrtare me vendimin nr.73, datë 22.5.1945 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, datë, “Mbi shpalljen e festave zyrtare”. Përkujtohej sepse aty komunistët nisën mashtrimin duke u maskuar pas një organizate të paqenë si Fronti Nacionalçlirimtar. Këtë ditë të nisjes së mashtrimit, e cila solli jo bashkimin e shqiptarëve, por përçarjen e thellë të tyre, komunistët e kthyen e kthyen në festë. Jo pa qëllim, në çdo 16 shtator, dalin fotografitë e një prej terroristëve më të mëdhenj që ka parë populli shqiptar, Enver Hoxhës. Festimi i parë i 16 shtatorit, u bë pikërisht në vitin e parë të pushtetit komunist, atë 1945. Tradita komuniste është rigjallëruar në parametra të kënaqshëm edhe këto vitet e fundit me mashtrime publike të formave “nata e bardhë” apo “Peza n’fest”. Kemi sërish mashtrime publike, por të përziera me alkool dhe propagandë bashkiake. Thelbi i tyre është mbrojtja e trashëgimisë komuniste, shitja e qelbit si vlerë gjasme kombëtare.
Në ceremoninë e parë të 16 shtatorit 1945, zhvilluar në gërmadhat e shtëpisë së njohur tashmë, u vendos një pllakën e cila u zbulua nga ministri i Punëve të Brendshme, Haxhi Lleshi. Folësi kryesor në këtë ceremoni nuk harroi të përmendte te “aleatët e mëdhenj” edhe “popujt e Jugosllavisë Federative të mareshalit Tito”. U zhvillua edhe një marshim në Tiranë. Në vitet vijuese 16 shtatori, kjo ditë e mashtrimit të madh u përkujtua me të njëjtin recitimit se nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, u arrit bashkimi “pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Dhe çfarë “bashkimi” se? Në kohën e luftës më të përgjakshme civile. Na mungojnë sot përkujtimi i organizatorëve të mbledhje, shokëve të Kominternit, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.