Traktoristi “Hero i Punës Socialiste”

Tuesday, 01 October 2019 18:26

Nga Kastriot Dervishi

Sipas ligjit për titujt e nderit dhe deklaratat, titulli “Hero i Punës Socialiste” ishte titulli më I lartë në “fushën e ndërtimit të socializmit” që u jepej shtetasve, rretheve, qyteteve, fshatrave, organizatave shoqërore, institucioneve, ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore, fabrikave, sektorëve, brigadave, njësive, reparteve e nënreparteve ushtarake, , grupeve të punonjësve, “për përfundime të jashtëzakonshme dhe të qëndrueshme me rëndësi të madhe për të gjithë vendin, të arritura në sektorin e ekonomisë, të shkencës, kulturës, artit, të revolucionit tekniko-shkencor dhe për veprimtari e merita të shquara në shërbim të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Në këtë radhë ishin jo pak traktoristë që punonin në ferma ose kooperativa bujqësore. I gjithë sistemi i SMT-së ishte me kosto mjaft të lartë dhe me humbje. Por në kohën e Partisë së Punës, pavarësisht se ishte ekonomi e centralizuar, ishte në fakt një rrumpallë e centralizuar. Vetëm nafta që harxhohej kalonte disa herë vlerën e prodhimit bujqësor. Traktoristët si pararojë e klasës punëtore, ishin një kontingjent i madh që dekoroheshin për punën socialiste. Traktoristi Rako Pina p.sh, anëtar partie nga viti 1954, me 7 klasë shkollë, çdo vit realizonte e tejkalonte normën. Ai ishte propozuar kandidat në Kuvendin Popullor. Duke qenë me “shpirt gare”, kish marrë iniciativën për të punuar me një traktor të vjetër, me të cilin kishte tejkaluar edhe normën. Për merita të mëdha Byroja Politike i propozoi Presidiumit të Kuvendit Popullor që Rakoja të merrte titullin “Hero i Punës Socialiste”.

Login to post comments