Nga Kastriot Dervishi
Nesër Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë qokët e radhës për të përkujtuar konferencën e parë sovjetike të veteranëve, e mbajtur më 20-21 korrik 1957 në Tiranë, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë te rruga e Kavajës (sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit), sipas vendimit nr.130, datë 23.4.1957, Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Asokohe u soll statusi i organizatës të veteranëve sovjetikë të luftës, në nenin 1 të së cilës thuhej se qëllimi i formimit ishte “zhvillimi i ekonomisë popullore”, puna edukuese me frymën e “patriotizmit sovjetik”. Grupi nismëtar për krijimin e organizatës së veteranëve të luftës, i kryesuar nga Beqir Balluku u mblodh më 20.5.1957 në Tiranë. Merrnin pjesë Beqir Balluku, Rita Marko e Pilo Peristeri. Merrte pjesë edhe delegacioni i veteranëve sovjetikë i kryesuar nga S.A.Borzenko. Konferencën e deklaroi të hapur Shefqet Peçi. Përshëndeti sekretari i Haxhi Qamilit, Sulejman Zalla. Raportin kryesor e mbajti Sadik Bekteshi. Ndër të tjera në këtë raport thuhet:
“Vepra më e madhe e lavdishme e partisë sonë është miqësia me Bashkimin Sovjetik. Ajo qysh në fillim e orientoi popullin nga Bashkimi Sovjetik dhe i tregoi atij se nga Bashkimi Sovjetik do të vinte liria dhe se vetëm shteti i punëtorëve dhe fshatarëve të çliruar do ta përkrahte, do ta çlironte, do ta mbronte dhe do ta ndihmonte popullin tonë të vogël në përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi. Ndërsa Bashkimi Sovjetik është guri themeltar i të gjitha fitoreve tona, si në luftën për çlirim, ashtu edhe në periudhën e rimëkëmbjes dhe sot për ndërtimin e socializmit.Ne jemi të fortë se kemi në krye Bashkimin Sovjetik, i cili gjatë 40 vjetëve të jetës së tij ka treguar se nuk ka forcë në botë që të mundë socializmin, nuk ka forcë në botë që ta mundë sistemin e punëtorëve dhe të fshatarëve. Nën shembullin e veteranëve sovjetikë, në bashkëpunim me ta dhe me gjithë veteranët e botës, veteranët e luftës së popullit shqiptar kanë për detyrë të luftojnë për ruajtjen e paqes në botë, për jetën e qetë, të shëndetshme dhe të lumtur të vatrave familjare, kundër luftënxitësve imperialistë. Bashkimi sovjetik është mbrojtësi më i flakë dhe më i vendosur i paqes...Bashkimi Sovjetik është kështjellë e pathyeshme e paqes midis popujve. Është detyrë e veteranëve të luftës, të punojnë pa u lodhur, për ta çelikosur akoma më shumë dashurinë dhe miqësinë e madhe të popullit tonë, ndaj popujve të Bashkimit Sovjetik, sepse kjo është garancia më e sigurt për pavarësinë e të ardhmen e vendit. Shpresat për ditë më të mira, për të ardhme më të lumtur, lindën atëherë kur u krijua vendi i parë i socializmit në botë Bashkimi Sovjetik”.
Konferenca zgjodhi komitetin drejtues dhe presidiumin me 17 vetë, president u zgjodh gjeneral-kolonel Beqir Balluku, ndërsa zëvendëspresidentë Spiro Moisiu dhe Shefqet Peçi. Sekretar Abdyl Hakiu. Gjatë gjithë ekzistencës së saj, kjo organizate ka qenë gjithnjë sovjetike. Përherë enveriste e komuniste, veprimtare e përçarjes kombëtare, gjithnjë strofull persekutorësh, mbrojtëse e veprave terroriste komuniste dhe një terroristi të kalibrit ndërkombëtar si Enver Hoxha, i cili i bëri popullit shqiptar ato krime që asnjë pushtues nuk ia ka bërë.