Nga Kastriot Dervishi
Më 4-27 shtator 1947 në sallën e kinema "17 nëntori", në Tiranë Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake i formuar nga: major Niko Çetës - kryetar, kapiten I Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit të përgjithshëm Josif Pashko, gjykoi grupin e parë të deputetëve (disa prej tyre ishin deputetë), si pjesë e 5 grupeve “tekniko-intelektualë” të kategorizuar nga regjimi si elementë kundërshtarë. Me vendimin nr.187, datë 27 shtator 1947 të Gjykatës së Lartë 3 veta u dënuan me varje në litar dhe 13 me pushkatim. Më 9 tetor 1947 Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi faljen e jetës së të dënuarve. Ekzekutimet u kryen mëngjesin e datës 10 tetor 1947. Lista e të dënuarve me vdekje:
Me vdekje në litar:
1-Shefqet Beja, (në Tiranë)
2-Riza Alizoti, (në Kuçovë)
3-Sulo Klosi; (në Rubik)
Me vdekje, me pushkatim në Tiranë:
4-Selaudin Toto
5-Irfan Majuni
6-Enver Sazani
7-Sheh Ibrahim Karbunara
8-Hysen Shehu
9-Agathokli Xhitoni
10-Abdyl Kokoshi
11-Salim Kokalari
12-Beqir Çela
13-Mehmet Prishtina
14-Paolo Saggioti
15-Tefik Deliallisi
16-Pertef Karagjozi
Telegrami i normalistëve
Jehona e procesit ishte e madhe në të gjithë vendin. Të gjitha mjetet e propagandës zyrtare e kishin mbajtur lart frymën e agjitacionit dhe urrejtjes klasore. Njeriu i ri, ndonëse në fillimet e tij, merrte pjesë dhe jepte kontributin e tij në vendet ku zhvilloheshin gjyqet, si dhe në formën e telegrameve. Një i tillë ishte ky i shkollës Normale të Elbasanit. Kolektivi i këtushëm, i mbledhur me rastin e “konferencës historike të Pezës” kishte ndjekur “me vëmendje të madhe” procesin kundër “armiqve të popullit, deputetëve tradhtarë, sabotatorëve të pushtetit e të reformave tona, agjentë të fëlliqur ke imperializmi amerikan, plehna të Ballit e Legalitetit”. Për këtë arsye, ata kërkonin “dënimin e pamëshirshëm me vdekje”, sepse kështu zhdukej “fara e tradhtisë”.