Sot përkujtohet 75-Vjetori i dhënies fund të Holokaustit nazist, më 27 janar 1945. Muzeu Kombëtar njofton se në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit? në nderim të viktimave të Holokaustit.
Kjo ditë përkujton miliona viktimat e politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.
Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Auschwitz vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët.
Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945.
Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 71 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit.
Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.
Muzeu Historik Kombëtar i ka kushtuar një kënd të veçantë popullit hebre dhe mbështetjes së shqiptarëve ndaj tyre.