Nga Kastriot Dervishi
Gjatë kohës së komunizmit, shteti ishte një karakatinë eksperimentale që nuk zinte kurrë vend. Drejtimin amator dhe joprofesional e dëmtonte edhe një raport i keq midis partisë dhe shtetit. Diktatura kishte ligje e kode, por partia vendoste fshehtazi për norma të tjera. Vërtet vendi kishte Kod Penal dhe Kod të Procedurave Penale, por çdo gjë vendosej nga platforma agjenturiale-operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e miratuar nga Byroja Politike.
Rasti bashkëlidhur është një urdhër që jep ndihmësministri i Punëve të Brendshme në vitin 1952 për të kryer një arrestim. Fletës nuk i vihej datë. Punonjësja Ana Mastora do arrestohej për llogari të Degës së 7-të (hetuesia) të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Më pas dilnin procedurat e sanksionimit të arrestimit nga prokuroria e jepej vendimi nga gjykata, të referuara në Kodin Penal apo Kodin e Procedurave Penale. E paraqes këtë dokument sepse të tilla janë fare pak të trashëguara në ditët tona. Procedura e arrestimit njihet vetëm në anën ligjore të saj, ajo agjenturiale-operative është siç ka natyrën, të fshehtë.