Nga Kastriot Dervishi
Më 1 mars – 13 prill 1945 në kinema “Kosova në Tiranë u zhvillua një gjyq special, me një trupë gjyqësore të formuar me vendimin nr.26, datë 15.12.1944 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në krye të të cilit ishte tenexhiu me 5 klasë fillore Koçi Xoxe, njëherazi edhe drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit. U gjykuan ish kryeministra, ministra, drejtorë policie, komandantë xhandarmërie, nëpunës civilë, diplomatë, ushtarakë, gazetarë, etj. Baza ligjore e gjykimit, u miratua pas arrestimit të të pandehurve, d.m.th., ligji nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”. Gjyqi special ka disa veçanti. Nuk arriti të dokumentojë asgjë fajësi me prova. U krye me nxitim vetëm për të dhënë një shfaqe publike. Nga gjykimi doli se shumë prej atyre që dënuan (sidomos ato me vdekje), u kishin bërë gjatë luftës ndere të shumta komunistëve.
E vërteta në lidhje me vendimin e gjyqit e special, gjendet në procesin gjyqësor të Koçi Xoxes. Në deklarimin e datës 11 shkurt 1949, Koçi Xoxe tha se vendimet e gjyqeve të rëndësishme si ai special, i Maliqit, i grupit të deputetëve, disa në Shkodër, Gjirokastër e Korçë, ishin marrë me vendim të Byrosë Politike. Duke iu përgjigjur pyetjeve Xoxe tha se “shumica e këtyre vendimeve ka qenë marrë me vendimin e Byrosë” dhe për disa prej tyre ai ishte “konsultuar me komandantin e përgjithshëm”.
Statistika të gjyqit special:
-U gjykuan 60 persona
-U dënuan me vdekje17 persona
-U dënuan me burgime 40 persona
-U liruan me kusht 3 persona
-Vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit 12 persona
-U ridënuan 4 persona (një vdiq në burg dhe një u pushkatua)
-Nga pikëpamja administrative, dokumentacioni është keqadministruar
-Janë evidentuar 27 praktika hetimore nga dosje të ndryshme
-Janë përzier në dosje formulare 7 praktika