Nga Kastriot Dervishi
Në mbledhjen nr.4 të datës 13.4.1945 të Kryesisë së Këshillit Nacionalçlirimtar, u diskutua mbi faljen e jetës së të dënuarve nga gjyqi special. Në mungesë të një organi, KANÇ-i kryente funksionet e një organi kolegjial të kryetarit të shtetit. vendimi i ekzekutua pas disa orësh.
Procesverbali i mbledhjes:
-Bedri Spahiu kërkon që të mos merret parasysh lutja e tyre, por të dënohen ashtu si ka vendosur gjyqi.
-Prof.Gjergj Kokoshi thotë se vendimet janë me vend.
-Kryetari (Omer Nishani) thotë se refuzimin tonë ta justifikojmë me arsyen se dënimi është dhënë prej një gjyqi, vendimet e të cilit janë të prera.
-Prof.Sejfulla Malëshova thotë se gjyqi ushtarak vendimet ia dërgon Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe ajo ia dërgon Kryesisë. Kjo procedurë duhet të ndiqet edhe në gjyqin special.
-Manol Konomi shpjegon se kurdoherë të dënuarit kanë të drejtë të luten. “Grace” nuk është rekurs.
-Spiro Moisiu thotë se po të mos jepet përgjigje, kuptohet se aprovohet vendimi i gjyqit.
-Prof.Gjergj Kokoshi insiston në faktin se duhet dhënë një përgjigje.
Me unanimitet vendoset që të refuzohet lutja dhe përgjigja t’i dërgohet prokurorisë së gjyqit special.
Mbledhja mbyllet në orën 20.00